Aktualitet Politikë

“Të ka mbaruar koha”, Berisha i përgjigjet Bashës dhe fton Ramën në debat/ Nesër dorëzohen 4200 firma për Kuvendin.

Nga “Foltorja” e Pogradecit, ku u zhvendos këtë të martë, ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar se janë mbledhur 4200 firma për Kuvendin Kombëtar dhe do të dorëzohen nesër në selinë blu.

Berisha iu drejtua Bashës duke i thënë të përkulet para këtyre firmave, ndërsa theksoi se në Kuvend mbështetësit e tij do të jenë 10 mijë.

Kam një lajm të keq-për peng kryetarin. Nesër dorëzohen 4200 firma të Kuvendit Kombëtar. I them kryetarit pa parti përkulu para firmave të anëtarëve të PD se 4200 kanë firmosur. Do të vijnë në atë Kuvend 10 mijë të tjerë do të jetë festa më e madhe e PD në historinë e saj, do të jetë triumfi i saj, do të jetë rikthimi i saj i plotë dhe i sigurt në fitoren ndaj narko-shtetit, u shpreh Berisha.

Një mesazh, ish-kryeministri e dha edhe për kreun e qeverisë, Edi Ramën. Sipas Berishës, “Foltorja” i ka kallur datën kryeministrit. Ish-lideri historik i PD-së e ka ftuar Ramën në një debat televiziv.

Së fundmi dua ta mbyll me një mesazh për Edi Ramën. Edvin je i pashpresë. Foltorja të ka kallur datën. Të garantoj që me Berishën do bashkohen të gjithë burrat dhe gratë që i besojnë dinjtetit njerëzor, djemtë dhe vajzat, të gjithë ata që jetojnë me djersën e ballit, të gjithë ata që I thonë Shqipërisë Shqipëri dhe atdheut atdhe. Dua të të ftoj në një debat televiziv, do të tregoj, të ti numëroj para këtyre burrave dhe grave, të gjitha krimet dhe mëkatet e këtyre 8 viteve dhe mbathja në Beograd se atje të presin krah-hapur, tha Berisha.

Ish-kryeministri ju përgjigj edhe deklaratës së Lulzim Bashës se koha e tij ka mbaruar

Njëherë thotë se për mua nuk ka forume, nuk ka Statut, nuk ka Kuvend. Njëherë tjetër deklaron se kanë ikur kohërat. Por një njeri që nuk ka pasur kohë kurrë nuk mund të flasë për kohën. Por që të flasësh për kohën duhet të kesh kohë. Është një gabim i madh i jetës time kur në vitin 2017 nuk i kërkova dorëheqjen për humbjen poshtëruese, duhet të dilja në garë dhe të shpëtonim PD-në nga një njeri që nuk e meritoi kurrë drejtimin e saj, deklaroi Berisha.