Botë e Çuditshme Travel

Të jesh pasagjer në një avion i cili drejtohet familjarisht nga piloti me gruan dhe 3 vajzat!

Një industri që nuk njihet për kalimin e mantelit nga prindërit tek fëmijët është aviacioni. Të paktën kështu ishte deri në momentin kur pasagjerët në bordin e një fluturimi të ‘IcelandAir’ panë se në shërbim të tyre ishte një familje e plotë, pasi piloti që drejtonte avionin kishte pjesë të ekuipazhit edhe gruan me tre vajzat e tij që punonin si stjuardesa në kabinë.

Ingvar Mar Jónsson drejtoi avionin që u nis nga aeroporti Keflavik për në Uashington DC, ndërsa në bord shërbente bashkëshortja e tij Sigga Nanna dhe vajzat Ingibjorg, Sigga Marta dhe Nina. Jónsson shpjegoi për mediat se fillimisht, vetëm tre prej tyre ishin planifikuar të ishin në fluturim, por dy fëmijët e tij më të vegjël arritën të riorganizonin oraret e tyre të punës për t’u bashkuar e gjithë familja.

“Meqenëse 2 vajzat tona më të vogla filluan të punonin për verën si stjuardesa, gruaja ime Sigga Nanna dhe vajza jonë më e madhe Nina menduan se mund të ishte një ide e mirë të bënim një fluturim së bashku nga Keflavik në Uashington. Ingibjorg dhe Sigga Marta arritën të ndërronin fluturimet në mënyrë që ne të gjithë të bëheshim pjesë e një ekuipazhi më 20 gusht”-zbuloi piloti. Të pestë nuk ishin anëtarët e vetëm të familjes në bordin e avionit, pasi Jónsson konfirmoi se vjehrra e tij gjithashtu u bashkua me ta në fluturim.

“Bashkë me ne morëm vjehrrën time Ingibjorg. Gjithashtu Petur (i dashuri i vajzës sonë Ingibjorg) dhe Thorir (i dashuri i Sigga Martës)”. Atli, i cili është bashkëshorti i Ninës, qëndroi në Islandë për t’u kujdesur për 2 fëmijët e tyre të vegjël. Djali ynë Nonni i cili është 17 vjeç gjithashtu qëndroi në Islandë për t’u kujdesur për 2 qentë tanë”-shpjegoi piloti. Fluturimi tepër i rrallë u bë viral në Twitter pas një postimi nga IcelandAir, ku shkruhej: “Islanda është një vend i vogël, kështu që fluturimi mund të bëhet lehtësisht një çështje familjare. Ishte një fluturim që ndodh një herë në jetë për pilotin Ingvar, gruan e tij Sigríður dhe 3 vajzat. Ata mirëpritën pasagjerët në ‘udhëtimin e tyre familjar’ midis Uashington DC dhe Kefairport. Një familje që fluturon së bashku, qëndron së bashku!”-shkroi kompania.