“Dreammaker”, kështu prezantohet Valdrin Sahiti në Instagramin e tij zyrtar, e në fakt nuk mund të kishte një fjalë më të godituar që përfaqëson punën e tij dhe misionin për të bërë realitet ëndrrat e të tjerëve. Te shumtë janë personazhet e famshëm që ndër vite ia kanë besuar atij veshjet për ngjarjet më të rëndësishme të jetës. Puna e tij nuk njeh më aspak kufij sepse emra të njohur botërisht si Beyonce, Kylie Jenner, Paris Hilton, Rita Ora, Bela Thorne, modelja Winnie Harlow apo shumë të tjerë kanë zgjedhur Valdrinin për eventet e tyre prestigjioze.
Ai është shumë i përkushtuar në ҫdo detaj të secilës prej veshjeve që krijon, duke qenë koherent me tendencat botërore e shpeshherë duke e sjellë ai vetë atë që do të shndërrohet në trend. I ftuar mëngjesin e sotëm në një lidhje me Skype “Wake Up” ai ka folur më shumë lidhur me sukseset e tij, por jo vetëm.
Si kanë qënë për të këto kohë për shkak të angazhimeve?
Ky është sezoni më i vështirë për ne si artistë, sepse ne përgatisim koleksionet e reja që shfaqen e me të cilat punojmë deri në sezonin e ardhshëm deri në nëntor apo dhjetor. Është jashtëzakonisht e vështirë sepse të qenit në një treg global dhe funksionimi në një treg tejet lokal si Kosova, krijon padyshim shumë vështirësi, si në kontekstin e lidhjeve, si në kontekstin e profesionalizmit, si në kontekstin e kapjes së gjërave në momentin e duhur. Mirëpo duke marrë për bazë se kemi një ekip jashtëzakonisht të madh dhe kemi investuar shumë në kapitalin njerëzor, nuk është që nuk po ia dalim. Momentalisht po punoj në disa koleksione të cilat mendoj se do të jenë “the best of Valdrin Sahiti” në këto 20 vite.
Stilisti i njohur, pavarësisht sukseseve të tij të mëdha, tregon se ne nuk kemi pare gjë akoma dhe se gjëra akoma dhe më të mëdha priten nga ai.
Unë mendoj që ky është vetëm fillimi në një treg global. Jemi një brand nga një vend i cili shumë vonë është njohur nga të gjitha shtetet dhe kjo të krijon vështirësi në avancimin e mëtejshëm në tregun global. Por unë mendoj që gjuha artistike është gjuha më diplomatike që mundemi të përdorim, sepse është e vetmja gjuhë që në parim nuk njeh asnjë protokoll legjislativ për të arritur aty ku brand-i ka si synim. Unë kam qenë fans i gjuhës artistike, sepse diplomacia politike dhe financiare në art, janë gjithmonë aksesorë që duhet t’u vishen talentit. Dhe do vazhdoj prap me gjuhën artistike, pavarësisht barrierave që i kemi si komb. Njerëzit e pëlqejnë atë që ti bën nëse e bën vërtet me shpirt.