Aktualitet

Të huajt investuan 354 mln euro në Shqipëri, interes i shtuar nga turqit e italianët!

Bizneset e huaja investuan 354 mln euro në 3-mujorin e parë të vitit. Sipas origjinës, shumica e parave këtë periudhë, erdhi nga kompani turke dhe italiane.

Fluksi i investimeve të huaja direkte arriti ne 354 mln euro në tremujorin e parë të vitit, nga 307 milionë euro që ishte vitin e kaluar.

Flukset nga Turqia kryesojnë këtë vit me 69 milionë eurove, duke zënë rreth 20% të totalit. Në vend të dytë, pason Italia me 41 milionë euro dhe më pas vijnë Austria Holanda, Kosova dhe Gjermania.

Në të kundërt, flukset e investimeve ishin më të ulëta nga Kina, Greqia, Suedia dhe Sllovenia, vlera e të cilave varion nga 1 në 3 milionë euro. Në harkun kohor të një viti, shtetet si Austria, Maqedonia e Veriut, dhe Kosova kanë patur rritjen më të lartë të flukseve të investimeve në Shqipëri me 48, 50 dhe 82% respektivisht.

Ndërkohë, investimet nga Holanda që kanë kryesuar në vlerë, kanë humbur terren, dhe me një trend të ngjashëm shfaqen edhe investimet nga Greqia, Franca, Suedia dhe Sllovenia.

Sipas të dhënave që jep Banka Qendrore, 80 mln euro të injektuara në ekonominë tonë në fillim të vitit, nuk kanë origjinë të specifikuar, duke preferuar të vijnë këtu me raport konfidncial për publikun.