Ai që u duk si një skeç i pafajshëm me nota humori nga ana e komedianit, Chris Rock dhe që në fillim u intepretua si i tillë nga të pranishmit e ata që ndoqën ceremoninë, u kthye në një incident të pakëndshëm, në një akt dhune. Will Smith, nuk e gëlltiti batutën për flokët e bashkëshortes, e cila vuan nga një sëmundje autoimune që shkakton rënien e tyre. Aktori iu drejtua skenës e nuk i rezistoi tundimit për t’i dhënë një shuplakë të fortë Rock kur ky i fundit po prezantonte fituesin për kategorinë e dokumentarëve.
Goditja me shuplakë e Will Smith ndaj Chris Rock e la audiencën dhe shikuesit në shtëpi plotësisht të shokuar. Por, kjo nuk është hera e parë që ylli i “King Richard” dhe aktori i humorit kanë një mosmarrëveshje. Por gjithësesi edhe pse nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve djali i Will Smith ka reaguar në lidhje me ngjarjen.
Jaden Smith mesa duket ka treguar mbështetje për babain e tij në rrjetin e tij social Twitter. Menjëherë pas përfundimit të transmetimit ai shkroi:
Kështu e bëjmë ne!
And That’s How We Do It
— Jaden (@jaden) March 28, 2022
Në një tjetër postim në Twitter, Jaden ndau një foto të tij të veshur me syze dielli në sediljen e pasme të një makine, duke shkruar: “Fjalimi i babait tim më bëri të qaj”.
Ndërkohë, Chris Rock nuk ka bërë denoncim në polici për atë që ndodhi me Will Smith, të paktën deri tani, pra Will nuk do të arrestohet për episodin e parë nga miliona njerëz në botë. Por, Rock ka 6 muaj kohë që të ndryshojë mendim. Në rast denoncimi, fituesi i Oscar-it mund të dënohet deri në 6 muaj burg dhe gjobë deri në 100 mijë dollarë. As Akademia nuk qëndroi indiferente e dënoi dhunën, në një reagim në përfundim të ceremonisë që në Shqipëri u transmetua live në Top Channel.