Kompania Gap po merr masa për të hequr të gjitha produktet Yeezy nga dyqanet dhe faqja e tyre mes komenteve antisemitike të reperit Kanye West. Në deklaratën e Gap thuhej se:
Në shtator, Gap njoftoi përfundimin e partneritetit të saj Yeezy Gap. Sjellja e fundit e ish-partnerit tonë e shpjegon pse. Ne po marrim hapa të menjëhershëm për të hequr produktin Yeezy Gap nga dyqanet tona dhe kemi mbyllur YeezyGap.com. Antisemitizmi, racizmi dhe urrejtja në çdo formë janë të pafalshme dhe nuk tolerohen në përputhje me vlerat tona. Në emër të klientëve, punonjësve dhe aksionarëve tanë, ne jemi partnerë me organizata që luftojnë urrejtjen dhe diskriminimin.
Pavarësisht reagimeve të forta, West ende nuk ka kërkuar falje për ndonjë nga deklaratat e tij ose nuk ka folur për markat e ndryshme që po ndërpresin bashkëpunimet me të. Rikujtojmë, se West mund të humbasë statusin e tij të miliarderit pasi u largua gjithashtu nga Adidas pas reagimeve të shumta për fyerjet e tij antisemite.
Marrëveshja vjetore e reperit prej 220 milionë dollarësh me markën sportive gjermane, e cila kap vlerën e 1.5 miliardë dollarëve në total, është ndërprerë pas sjelljes së tij të pazakontë. Pasuria e West mund të bie nën 1 miliard dollarë pas përfundimit të marrëveshjes me markën, e cila vjen pasi disa marrëveshje të tjera fitimprurëse kanë ndërprerë bashkëpunimin me të.
Ndërkaq, sjellim në vëmendje se pas ndarjes së Kim Kardashian dhe Pete Davidson, ka pasur disa ndjekës të influencueses që kanë menduar për një pajtim të mundshëm të saj me West. Por, asgjë nuk mund të jetë më larg se realiteti, pasi komentet e fundit të këtij të fundit, të shtuara në disa qëndrime të tij, nuk kanë më peshë për një spekulim të tillë nga fansat dhe shtypi. Procesi i divorcit mes të dyve ishte shumë i vështirë, për shkak të pengesave të vazhdueshme që artisti vendosi në ndarjen nga Kim.