Aktualitet

Të fundit në Europë! Publikohet raporti: Liria e medias në Shqipëri, në rrezik të lartë

Raporti i përvitshëm mbi pluralizmin në media nga Qendra për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias, CMPF, në Institutin Evropian Universitar në Firence për vitin 2023 e vendos Shqipërinë në listën e vendeve me një media në ‘rrezik të lartë’.

Raporti vë në dukje se në pjesën më të madhe ato mbetën të pandryshuar nga viti i kaluar, por treguesi i pluralizmit të medias u përkeqësua ndjeshëm.

Bazuar në të dhënat e bëra publike nga CMPF, Shqipëria është një nga vendet me situatën më të rënduar në rajon dhe në një pjesë të treguesve si ai i pluralizmit të hapësirës mediatike, zë vendin e fundit në Evropë me një shkallë të rrezikut prej 92 për qind. Vendi nuk rezulton mirë as sa i përket pavarësisë së medias nga politika, duke lënë pas në këtë tregues vetëm tre vende: Turqinë, Hungarinë dhe Serbinë.

Raporti vë në dukje edhe mungesën e sigurisë për gazetarët.

“Siguria fizike e gazetarëve nuk është gjithmonë e garantuar, kushtet e punës mbeten të këqija ndërsa autoriteti i medias nuk është i pavarur nga ndikimi politik”, thuhet në raport.

Raportuesit kanë renditur një listë të gjatë rekomandimesh për Shqipërinë ku kërkohen ndryshime që do të ndikonin në përmirësimin e situatës. Rekomandimet përfshijnë kërkesa për një barazim më të madhe gjinore në menaxhimin e medias, më shumë hapësirë për pakicat dhe ngritjen e mekanizmave vetërregullues për të “luftuar gjuhën e urrejtjes me bazë gjinore”.

Raporti rekomandon ndalimin e përdorimit të materialeve të prodhuara nga partitë politike apo autoritetet shtetërore në lajme dhe në programet informative si dhe masa më të forta rregullatore, “për ta bërë mbajtjen e posteve qeveritare të papajtueshme me pronësinë e medias”.

Raportuesit po ashtu rekomandojnë një sërë masash mbi transparencën e pronësisë së mediave dhe masa për mbrojtjen e gazetarëve apo redaktorëve nga shkarkimet e padrejta dhe një ndarje të qartë mes rolit të tyre me atë të reklamuesit.

Raporti në fjalë është përpiluar për 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 5 vendet kandidate, përfshi Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai është një raport i përvitshëm i financuar nga Bashkimi Evropian dhe është në vitin e 10 të publikimit.

Birn