Aktualitet

Të enjten ngrihet komisioni i posaçëm antikorrupsion, si do funksionojë!

Komisioni i posaçëm për luftën kundër korrupsionin do të përbëhet nga 11 anëtarë, 6 anëtarë do të jenë nga mazhoranca dhe 5 anëtarë nga opozita. Në seancën e ditës së enjte pritet të kalojë për votim vetëm ngritja e komisionit të posaçëm dhe jo përbërja e tij.

Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi, me synim: 1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, 2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe 3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.

Komisioni si rregull do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2).

Pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjencitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj.

Çdo parti tjetër joparlamentare, që nuk është e përfshirë në këtë komision do të ftohet të marrë pjesë në aktivitetet e hapura, si dhe të ofrojë kontribute konkrete pranë komisionit dhe grupit të ekspertëve