Aktualitet

Të bllokuar në kanionin e Langaricës, shpëtohen 7 turistët e huaj!

Policia e Gjirokastrës njoftoi sot se i ka ardhur në ndihmë 7 turistëve të huaj që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës.

Sipas njoftimit të Policisë, në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbave”, 7 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrfikëse, janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse kanë kontrolluar zonën dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në kanionin e Langaricës.

Falë punës së mirorganizuar dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera, punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e 7 turistëve nga terreni i vështirë ku kishin mbetur të bllokuar.

Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe shërbimet e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi ndaj ngjarjes, duke theksuar se “Policia e Shtetit është përgjigjur menjëherë dhe u ka ardhur në ndihmë shtatë turistëve, të cilët kishin mbetur të izoluar për shkak të rreshjeve të mëdha të shiut në lumin e Langaricës, Përmet, në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbave”.