Florida po përballet me pasojat shkatërrimtare të shkaktuara nga uraganet Helene dhe Milton, dhe shumë të famshëm kanë vendosur të ndihmojnë me donacione për të prekurit nga kjo fatëkeqësi natyrore. Njëra prej tyre është Taylor Swift, e cila ka dhuruar pesë milionë dollarë (4.5 milionë euro) për ndihmë në zonat e prekura nga uraganet. Megjithatë, disa njerëz janë zemëruar me këtë lajm, duke menduar se ajo duhej të kishte dhuruar më shumë, duke marrë parasysh që është miliardere.
“Pesë milionët e saj janë si 10 euro për shumicën prej nesh”, “Kjo është qesharake. E bën këtë vetëm për të përmirësuar imazhin e saj publik”, “Është një gjest i bukur, por nuk është ndonjë sakrificë e madhe nga ana e saj”, ishin disa nga komentet. “Njerëz të tillë mund të dhurojnë më shumë… Ajo është e gjitha e rreme dhe narciste”, ishte një tjetër koment në X.
Megjithatë, kishte dhe nga ata që e mbrojtën atë. “Nëse dikush thotë që pesë milionë janë pak, atëherë le të dhurojë ai/ajo atë shumë”, shkroi një prej fansave të saj. “Nuk jam fans i saj, por të nënçmosh dikë pas një donacioni është marrëzi”, shtoi një tjetër.
Lajmin për donacionin e Swift e publikoi drejtoresha ekzekutive e organizatës jofitimprurëse Feeding America, Claire Babineaux-Fontenot. “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Taylor Swift për donacionin e saj bujar prej pesë milionë dollarësh. Ky kontribut do të ndihmojë në rindërtimin dhe rimëkëmbjen e komuniteteve, duke siguruar ushqim bazë, ujë të pastër dhe furnizime për njerëzit e prekur nga këto stuhi shkatërruese”, shkroi ajo në Instagram.
“Faleminderit Taylor që je pranë nesh dhe ndihmon komunitetet në nevojë”, përfundoi ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Swift dhuron para për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Gjatë turneut të saj Eras, ajo rregullisht ka dhuruar për kuzhinat popullore dhe organizatat që ndihmojnë ata me gjendje financiare të dobët në qytetet ku performonte. Në vitin 2016, ajo dhuroi për të prekurit nga përmbytjet në Luiziana, në vitin 2017 ndihmoi për të prekurit nga uragani Harvey, ndërsa në vitin 2020 dhuroi një milion dollarë (913 mijë euro) për të ndihmuar të prekurit nga tornadot që shkatërruan shtëpi dhe vranë të paktën 24 persona në Tennessee, ku ajo nisi karrierën e saj. Në vitin 2023, ajo përsëriti donacionin në të njëjtin shtet pas tornadove të tjera shkatërrimtare.