Aktualitet

Tatimet rimbursojnë 40 milion euro TVSH në muajin prill!

Zhvillimet pozitive në turizëm po ndihmojnë konsumin, teksa të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme u rritën me 40% në muajin prill të këtij viti. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave referojnë se në prill u arkëtuan 6.2 miliardë lekë nga TVSH-ja e brendshme nga tatimet, nga 4.4 miliardë lekë në prill të vitit 2024.

Për të gjithë 4-mujorin, tatimet kanë arkëtuar 24.2 miliardë TVSH lekë, me rritje vjetore 23.2%. Nisur nga rezultatet pozitive, tatimet kanë rritur shumat e rimbursimit për bizneset. Vetëm për muajin prill u rikthyen te bizneset 4.07 miliardë lekë (40 milion euro), vlerë sa 65% e arkëtimeve mujore të TVSH-së.

Për të gjithë 4-mujorin e parë 2024, tatimet rimbursuan 4.5 miliardë lekë TVSH ndaj biznesit, me rritje 18.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat totale nga TVSH-ja neto në buxhet arritën në 67 miliardë lekë në janar-prill 2024, me një rritje vjetore 10.8%. Por, kontributin më të madh në këtë vlerë e kanë të ardhurat nga TVSH-ja e që vilen në doganë.

TVSH-ja e arkëtuar nga doganat kontribuoi me 70% të totalit të TVSH-së së arkëtuar në 4-mujor, ndërsa TVSH-ja e brendshme e grumbulluar nga tatimet, me 30%.

Për 12-mujorin 2023, rimbursimi për TVSH-në ishte programuar 18 miliardë lekë dhe është realizuar në vlerën 22.6 miliardë lekë, me një realizim prej 4.6 miliardë lekë ose 25.6% më shumë. Krahasuar me  vitin 2022, shuma e rimbursimit ishte 0.6% më tepër.

Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400.000 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Rimbursimi i TVSH-së kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave. Kërkesa i nënshtrohet analizës se riskut për rimbursim.

Bizneset me risk zero rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.

Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve të mësipërme, administrata tatimore paguan kamatëvonesë. Tatimet kanë shlyer tërësisht detyrimet e prapambetura që akumuloheshin në rimbursimin e TVSH-së dhe afatet nga kërkesa tek përfitimi janë shkurtuar ndjeshëm.