Administrata tatimore ju bën thirrje bizneseve të deklarojnë pagat reale të punonjësve brenda datës 20 të këtij muaji. Në kuadër edhe planit të masave që paralajmëroi në nisje të muajit shtator kryeministri Edi Rama, tatimet u kërkojnë bizneseve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve, orët e punës, profesionin dhe numri real i punonjësve të punësuar në biznesin e tyre.
Në letrën sensibilizuese që ju ka shkuar bizneseve tatimet ju rikujtojnë detyrimet ligjore, dhe ndëshkimet që parashikohen në ligj i procedurave tatimore dhe i kodit të punë kur ato nuk respektohen. Tatimet thonë se do të kenë zero tolerancë nga subjekteve që abuzojnë me pagën e punonjësve.
Ndërsa bizneseve të tjera, ju është dërguar një email për të korrigjuar deklaratat dhe për të paguar sigurimet e punonjësve.
“Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka konstatuar se JU nuk keni përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e detyrimeve tatimore për sigurimet shoqërore për punonjësin, te cilën e keni deklaruar me pagë bruto mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me vlerë zero, në kundërshtim më parashikimet ligjore, Nenet 8,10,11,18 të Ligjit 9136 datë 11.09.2003 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, neni 5 i Ligjit Nr. 10383, datë 24.02.2011 “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Vendimin Nr. 113, datë 01.03.2023 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, i cili parashikon se paga bazë minimale mujore për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person juridik, fizik, vendas ose i huaj, të jetë 40,000 lekë”, thuhet në emailin që tatimet i kanë nisur një biznesi.
Kjo fushatë e nisur fillimisht me letra sensibilizuese dhe thirrje për deklarim real nga ana e bizneseve do të avancojë më tej me një plan konkret masash që nis zbatimin që këtë vit, duke bërë analiza risku për bizneset që paraqesin dyshime për nën deklarim të pagave. Për këtë ‘luftë’ do të përdoret edhe inteligjenca artificiale për të bërë të mundur kryqëzimin e të dhënave.
Goditja e fenomenit të nëndeklarimit të pagave do të avancohet edhe më tej në vitin e ardhshëm, ku të gjitha pagat do të ‘hetohen’ nga tatimet. Kontrolli do të nisë fillimisht tek pagat e minimale për të vijuar më tej tek të gjitha kategoritë.
Aktualisht janë 55% e të punësuarve në vend që nuk e arrijnë pagën mesatare, ku pjesa dërrmuese e të punësuarve paguhen minimalisht 40 mijë lekë, që është vlerë e pataksuar. Ndërsa paga mesatare në gjashtëmujorin e parë të vitit u rrit me vetëm 89 lekë, krahasuar me 2023-shin. Mungesa e pasqyrimit të një rritje të fortë të rrogave, lidhet me informalitetin në tregun e punës, ku qindra subjekte deklarojnë në bankë pagën minimale e pjesën tjetër ua japin në dorë. Në këtë mënyrë ulet vlera e kontributeve që paguhet për punëmarrësin, e për pasojë vetëm si rezultat i kontributeve të ulëta për shkak të nëndeklarimit të rrogave, pensionet po dalin çdo vit e më të ulëta.– Sh.C–