Kjo nuk është një histori e vërtetë. Por mund të ishte fort mirë e tillë. Në dekadën e lëvizjes ‘#MeToo’, “Tár” mishëron shkëlqimin dhe rënien e një figure madhështore dhe ri-ngre pyejten e ndarjes së artistit nga njeriu, një pyetje që na ka ngrënë së brendshmi kur shohim që artistët që adhurojmë, dita ditës, na thërrmohen nëpër gishta si rërë e djegur nga dielli për shkak të zgjedhjeve të tyre personale dhe fuqisë së fshirjes (#cancelculture) që kanë rrjetet sociale.
Shkruar dhe drejtuar nga Todd Field, “Tár” tregon historinë e një dirigjenteje me famë ndërkombëtare dhe kjo kritikë mund të mbaronte me këtë fjali, është një kryevepër.
Që kur lexon emrat e përfshirë në këtë projekt nuk të vjen si surprizë niveli i filmit. Field dhe dy filmat e tij të mëparshëm – “In The bedroom” (2001) dhe “Little Children” (2006) – kanë shtruar rrugën e tij për këtu. Sigurisht kjo kryevepër nuk u bë brenda ditës. Autorit ju deshën 16 vite që vepra e tij të merrte formën që ka sot, 16 vite të mirë harxhuara, sepse ky film është nivel tjetër. Është nga ato drama që të marrin frymën, me një vizion inovativ. Një tregim i pashpirt i artit, epshit, fiksimit dhe pushtetit.
Historia zhvillohet në kohën e tashme, dhe tonet e saj të thrillerit dhe horrorit e bëjnë filmin e zhanrit dramë edhe më të fortë psikologjikisht.
Blanchett, në një nga rolet e saja më të arrira, në garë në të gjithë ceremonitë e çmimeve kinematografike të sezonit për ‘Aktoren më të mirë Protagoniste’ duke fituar disa syresh (Golden Globes & Bafta), shndërrohet në Lydia Tár, një dirigjente me një talent të jashtëzakonshëm e cila qëndron në majë të një [nga] orkestre simfonike të klasit ndërkombëtar. Filmi hapet me një shkëmbim enigmatik mesazhesh në telefon, mbas së cilave ajo qëndron e ulur në krah të gazetarit të ‘The New Yorker’ Adam Gopnik në një skenë e cila na lë të kuptojmë pak nga jeta e saj profesionale e mbi të gjitha nga këndvështrimi i saj për botën dhe karakteri i saj përtej shkopit të Maestros. Aty mësojmë se Lydia kishte mbajtur poste prestigjioze në botën e muzikës klasike, fillimisht si drejtuese e orkestrës së Boston-it dhe më pas Orkestrës Filarmonike të New York-ut. (mes të tjerave). Prej shtatë vitesh drejton Filarmoninë e Berlinit. Fituese e EGOT (Emmy, Golden Globe, Oscar dhe Tony – si shumë pak talente në botë), mentori i saj është Leonard Bernstein, roli i të cilit në orkestrat amerikane ishte i pashlyeshëm. Lydia njësoj si Lenny, posedon aftësi artikulimi që rivalizojnë aftësitë e saj muzikore.
Zgjuarsia dhe elokuenca e saj, janë po aq mbreslënëse sa aftësia e saj në drejtimin e [mbase] instrumentistëve më të mirë të planetit. Gjatë kësaj interviste duke folur për ndikimin e të shoqes Alma në punën e kompozitorit Gustav Mahler, Lydia flet edhe për barrën e të qënit një dirigjente grua, në të gjitha drejtimet, një fjali e cila shërben si retiçencë për atë që do të pasojë.
Edhe pse fillimisht performanca e Blanchett të vjen si teatrale (kryesisht nga mënyra recituese e frazave), në vazhdim kupton se Lydia është në fakt një aktore e vetes së saj. Ajo është duke performuar për elitën New York-eze, diçka që e dallon nga fytyra e saj e re kur takon bankierin dhe dirigjentin amator Elliot Kaplan (Mark Strong) me të cilin ka krijuar ‘Accordian’ një fondacion që ndihmon gratë të ndjekin ëndrrën e tyre për t’u bërë dirigjente të së nesërmes, apo nga shkëmbimet me asistenten Francesca (Noémie Merlant), e cila mundohet të mbajë ritmin e komunikimit të shpejt dhe të ftohtë të shefes së saj.
Lydia e ka krijuar personazhin e saj ngjashëm me një markë. Perfeksionizmi në çdo veprim, në çdo frymëmarrje të çon të mendosh se të jesh Tár duhet të jetë sfilitëse, pavarësisht se mund të ndihesh e plot-fuqishme.
“Mos lejoni rrjetet sociale të bëhen arkitekt i shpirtit tuaj”
– thotë ajo në një orë mësimi në Juilliard në një nga skenat më emblematike të filmit, si në nivel stilistik, simbolik apo aktrimi. Duke luajtur të famshmen Prelude në Do Minor nga ‘The Well-Tempered Clavier’ të Bach, ajo shpjegon në një mënyrë po aq të rrjedhshme sa muzika që po luan, duke dashur të bindë një prej studentëve se lidhja mes karakterit misogjen të artistit dhe veprës së tij është në fakt absurde. Një skenë që të bën ta dashurosh pa e ditur se e gjitha kjo është e lidhur [gjithashtu] me atë që vjen më pas. Një personazh me famë ndërkombëtare koshient se puna që bën është një lloj diktature, një diktaturë e cila zbatohet me përpikmëri, me të njëjtën përpikmëri që rregulat social-demokratë pranohen në struktura si orkestrat apo institucione të ngjashme. Tár është e gjithëanshme, e kudondodhur, një nga ato gratë e pushtetshme në çdo qelizë të trupit. E mes të gjitha këtyre Tár është edhe bashkëshorte e koncertmaestros së orkestrës që ajo drejton – interpretuar mjeshtërisht nga Nina Hoss me të cilën ndajnë edhe një vajzë, Petra-n.
Në një skenë kur vajza e saj bullozihet në shkollë Lydia Tár arrin ta zgjidhë situatën pa shumë mundim që të bën të mendosh se ajo është e aftë të drejtojë jetën e saj me të njëjtën saktësi të një orkestre. Apo mbase jo?…
Ky është një film sfidues i cili duhet parë disa herë për t’u interpretuar dhe kuptuar. Veç shijes së mirë që të lë herën e parë që e sheh duhet ta shohësh të dytën e të tretën herë për të kuptuar mes skenave që lëvizin shpejt, mes dritëhijeve të një fotografie enigmatike, mes rreshtave të dialogjeve të fuqishme. Kur Lydia i thotë një intervistuesi se drejtimi i ‘The Rite of Spring’ i bëri të kuptojë se secili prej nesh është i aftë për të vrarë, rrugës kupton se është duke folur për veten.
Todd Field dhe drejtori i fotografisë Florian Hoffmeister e kanë xhiruar filmin si një dokumentar me regji të Stanley Kubrick (me të cilin Field ka punuar si aktor në “Eyes Wide Shut”). Çdo sekondë e këtij filmi është planifikuar me kujdesin dhe vëmëndjen maksimale. Mënyra se si Todd arrin të të nërthejë me filmin dhe se si nga intrigat e korporatave deri tek fiksimi erotik shkrihen dhe rrjedhin kaq bukur dhe organikisht është gjeniale. Çdo interier i filmit është i pa-cen, kostumet janë një metaforë e fuqishme e personazheve dhe brendisë së tyre. Është e vështirë, tepër e vështirë ti gjesh këtij filmi diçka që nuk të pëlqen. Një tragjedi greke në kohët e You Tube-t dhe Twitter-it.
“Tár” i kthen përgjigje gjithçkaje përveç një pyetjeje:
Qëndrimi i filmit për atë që i ndodh protagonistes në fund.
Kjo është pyetja që të mundon ditë mbasi e ke parë, deri kur vendos ti rikthehesh edhe një herë.
Mos i thoni njeriut, por unë e kam parë 4 herë…