Tech

Tanimë nuk mund të bisedoni me miqtë nga Facebook në Instagram, surprizon Meta!

Pritet që së shpejti, Meta të heqë funksionin që deri më tani lejonte përdoruesit të ndërvepronin me miqtë e tyre nga rrjeti social Facebook në Instagram. Kompania e prezantoi këtë veçori në vitin 2020. Ky vendim mund të jetë një lëvizje për të shmangur pasojat rregullatore në Bashkimin Evropian. Integrimi ndër-platformë u njoftua në vitin 2019 dhe mori jetë në vitin 2020, duke “fshirë kufijtë” mes dy shërbimeve më të njohura të kompanisë Meta. Por, Messenger dhe Instagram tani po ndahen sërish.

Ata që kanë biseda ekzistuese me profilet e Facebook në Instagram do të mund t’i mbajnë ato, por vetëm në një version vetëm për lexim. Përveç kësaj, përdoruesit e Facebook nuk do të mund të shohin më statusin e aktivitetit tuaj, si dhe raportin e leximit të mesazhit. Së fundmi, të gjitha bisedat ekzistuese me profilet e Facebook nuk do të zhvendosen në inbox në asnjë platformë.

Ndërkaq, rikujtojmë se Meta prezantoi shërbimin e mesazheve të shkurtra Threads në Bashkimin Europian, siç raporton “Wall Street Journal”. Po ashtu do të ketë edhe një opsion për të përdorur Threads vetëm për të lexuar postimet, pa qenë në gjendje që të shkruani postimet tuaja.

Shërbimi është një alternativë ndaj platformës X të Elon Musk-ut e që më parë është njohur me emrin Twitter. Që kur miliarderi Musk bleu Twitter-in dhe e riemëroi me shkronjën X, numri i përdoruesve në platformë ka ardhur vetëm në rënie, referuar studiuesve të tregut. Ndër të tjera, X akuzohet se nuk ka moderuar gjuhën e urrejtjes dhe madje as lajmet e rreme.