Tech

Tanimë ChatGPT e ka një rival, gjithçka rreth Bard!

Google do të prezantojë një chatbot me inteligjencë artificiale (AI) të quajtur Bard për të rivalizuar ChatGPT. Bard do të testohet nga një grup testuesish përpara se të shpërndahet në publik javët e ardhshme. AI është ndërtuar mbi modelin ekzistues të gjuhës së madhe të Google, Lamda, të cilin një inxhinier e përshkroi të ngjashme me njeriun sipas përgjigjeve të tij, madje ai besohet se është i ndjeshëm.

Gjigandi i teknologjisë njoftoi gjithashtu se mjete të reja do të shtohen në motorin e tij aktual të kërkimit. “Bard kërkon të kombinojë gjerësinë e njohurive të botës me fuqinë, inteligjencën dhe krijimtarinë e modeleve tona të mëdha gjuhësore,”-shkroi shefi i Google, Sundar Pichai në një blog.

Pichai theksoi se ai dëshironte që shërbimet e AI të Google të ishin “të përgjegjshme”, por nuk shtjelloi se si Bard do të parandalohej nga shpërndarja e përmbajtjeve të dëmshme ose abuzive. Platforma fillimisht do të funksionojë në një version “të lehtë” të Lamda, duke kërkuar më pak energji në mënyrë që sa më shumë njerëz ta përdorin atë.

Njoftimi i Google pason spekulimet e gjera se Microsoft është gati të sjellë chatbotin e AI-së ChatGPT në motorin e tij të kërkimit Bing. ChatGPT mund t’u përgjigjet pyetjeve dhe të kryejë kërkesat në formë teksti, bazuar në informacionin nga interneti. Mund të gjenerojë fjalime, këngë, kopje marketingu, artikuj lajmesh dhe ese studentësh.

Aktualisht është falas për njerëzit që duan ta përdorin. OpenAI njoftoi së fundmi një nivel abonimi për të plotësuar aksesin falas. Por qëllimi përfundimtar i chatbot-eve qëndron në kërkimin në internet. Pichai nënvizon se:

Së shpejti, do të shihni veçori të fuqizuara nga AI në “Kërko”, që distilojnë informacione komplekse dhe perspektiva të shumta në mënyrë që të kuptoni shpejt dhe të mësoni më shumë nga ueb.

Ndërkaq, ChatGPT mund të jetë bërë aplikacioni me rritjen më të shpejtë në histori, pasi u vlerësua se kishte arritur 100 milionë përdorues aktivë mujorë deri në fund të janarit. Kjo sipas një raporti nga gjiganti bankar zviceran UBS.