Bota

Talibanët ndalojnë shfaqjen e fotografive të njerëzve dhe kafshëve në media!

Mediat talebane kanë ndaluar së shfaquri imazhe të gjallesave, njerëzve dhe kafshëve në disa provinca afgane për të respektuar ligjet e moralit. Në gusht, Ministria për Promovimin e Virtytit shpalli ligje që rregullojnë aspekte të jetës së përditshme, si transporti publik, media dhe festimet. Neni 17 ndalon publikimin e imazheve të krijesave të gjalla, duke ngritur shqetësime për pasojat për median afgane dhe lirinë e shtypit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Promovimit të Virtytit, Saif ul Islam Khyber, tha se mediat qeveritare në provincat Takhar, Maidan Wardak dhe Kandahar ishin këshilluar të mos transmetonin ose shfaqnin imazhe të “çdo gjëje me shpirt”, që do të thotë njerëz dhe kafshë.

Khyber deklaroi se ministria është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve të moralit, por nuk sqaroi nëse rregullat zbatohen për të gjitha mediat, duke përfshirë mediat e huaja, apo vetëm kanalet dhe faqet e internetit afgane, apo se si do të zbatohen ligjet. Asnjë vend tjetër me shumicë myslimane nuk vendos kufizime të ngjashme, duke përfshirë Iranin dhe Arabinë Saudite. Gjatë sundimit të tyre të mëparshëm në fund të viteve 1990, talebanët ndaluan plotësisht shumicën e televizioneve, radiostacioneve dhe gazetave.

Dhjetëra gra afgane morën pjesë në një lëvizje proteste në internet kundër një ligji të ri që i ndalon ato të këndojnë apo të mbajnë ligjërata në publik. Qoftë brenda apo jashtë vendit, ato kanë filluar të filmojnë veten duke kënduar dhe më pas i postojnë videot në rrjetet sociale, me mbishkrime si “Zëri im nuk është i ndaluar!” dhe “Jo talebanëve!”.

Qeveria talebane njoftoi shpalljen e një ligji për “promovimin e virtytit dhe parandalimin e veseve”, i cili përbëhet nga 35 nene me një sërë detyrimesh dhe ndalimesh për gratë, duke përfshirë të drejtën për të kënduar ose recituar poezi në publik. Si përgjigje, gratë afgane filluan protestën e tyre në mediat sociale. “Kur një grua e rritur duhet të largohet nga shtëpia për nevoja, ajo duhet të mbulojë fytyrën, trupin dhe të heshtë”-parashikon ligji.