Rajoni

Takimi në Uashington, Osmani zbardh detaje nga biseda me Jim O’Brien!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe është takuar në Washington D.C, me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidentja Osmani shprehet “diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”.

“Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi”, shkruan Osmani.

Në komunikatën e lëshuar nga Presidenca thuhet se vizita e Osmanit realizohet me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga sekretari Blinken, dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende në nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja”, thuhet në komunikatë.

Po sipas saj, kjo është hera e parë që Kosova përfshihet në një ngjarje në kuadër të Samitit të NATO-s.