Aktualitet Bota

Takimi me Presidentin e Ukrainës, Veliaj: “Do japim ekspertizën tonë në rimëkëmbjen e Ukrainës”!

Bashkia e Tiranës do të ndihmojë Ukrainën me rindërtimin e shkollave dhe do të japë ekspertizën e saj për rimëkëmbien e Ukrainës si pasojë e luftës. Një ditë pas takimit me Presidentin e Ukrainës, Kryebashkiaku Erion Veliaj shkruan se Presidenti Zelensky i shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që Shqipëria dhe Kryeministri Rama kanë dhënë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në llogarinë e tij në Twitter Veliaj thekson:

Shumë i lumtur që u takova me Presidentin Zelensky në Kiev, i cili shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Shqipërisë dhe Kryeministrit Rama në Këshillin e Sigurimit, strehimin e refugjatëve dhe çdo ndihmë tjetër. Tirana dhe Kharkivi janë qytete motra – ne jemi zotuar të rindërtojmë shkolla aty dhe të japim ekspertizën tonë në rimëkëmbjen e Ukrainës.

https://twitter.com/erionveliaj/status/1560889346449866752

Ndërkaq, kryebashkiaku Erion Veliaj ka shprehur mirënjohjen dhe për Dario Nardellan, Presidentin e Eurocities që mori drejtimin e 8 qyteteve të para që ndërmorën nismën për fillimin e rindërtimit të Ukrainës. Në një postim tjetër ai shprehet:

Jam shumë krenar për Dario Nardellan, Presidentin tonë të Eurocities, që mori drejtimin e 8 qyteteve të para që nismuan procesin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës, çka shpresoj se do të ndiqet edhe nga qytete të tjera. Shqipëria, me rimëkembjen pas tërmetit, mund të japë shumë mësime që ia vlejnë të dëgjohen.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte pjesë e grupit të Kryetarëve të Bashkive të Qyteteve Evropiane të Eurocities në mbështetje të Ukrainës. Në prani të Presidentit Zelensky, Shefi i Zyrës së Presidentit, Andriy Yermak dhe Presidenti i Eurocities Dario Nardella, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të mbështetur rindërtimin e qëndrueshëm të qyteteve të Ukrainës.