Aktualitet

Takimi i Komunitetit Politik Europian, Rama: Marrim stafetën për samitin e vitit 2025!

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Hungari në takimin e Komunitetit Politik Europian, gjatë të cilit Shqipëria do të marrë stafetën për samitin e ardhshëm në Tiranë në gjysmën e parë të 2025-ës. Në një prononcim për mediat para nisjes së takimit, shefi i qeverisë Rama u shpreh:

Do të marrim stafetën këtu për takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Europian në Shqipëri, gjysmën e parë të vitit që vjen. Ka shumë gjëra për të diskutuar. Ndryshimi klimës është i kudogjendur dhe në krye të përparësive të vendeve europiane, por ka edhe çështje të tjera për të diskutuar. Jemi shumë krenarë që kemi mundësi që ta mikpresim këtë takim.

Në takimin e Komunitetit Politik Europian marrin pjesë liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti. Në këtë takim do të diskutohet për sfidat e sigurisë në Europë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e emigracionit dhe ato ekonomike.

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Polonisë të shqetësuar lidhur me gjendjen politike në Gjeorgji. Edhe këtë javë, disa mijëra gjeorgjianë kanë dalë në rrugët e kryeqytetit Tbilis për të protestuar kundër rezultatit të parlamentareve të muajit të kaluar duke akuzuar partinë në pushtet, Endrra Gjeorgjiane për vjedhje votash.

Presidenti francez Macron, kancelari Scholz, si dhe kryeministri polak Tusk, thanë se nuk mund të mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësim të Gjeorgjisë në Bashkimin Europian, nëse vendi nuk bën reforma. Kjo deklaratë u publikua sot kur rreth 50 liderë europianë janë mbledhur në Budapest për bisedime mbi Ukrainën, emigracionin e sigurinë ekonomike.