Aktualitet

Takim Proda-Dumani: Ngritje e marrëdhënieve në tjetër stad bashkëpunimi!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka zhvilluar një takim me kreun e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani. Siç njofton Policia e Shtetit, “diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit e SPAK-ut, për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një stad tjetër bashkëpunimi dhe besueshmërie mes palëve.

Policia e Shtetit bën të ditur se është e angazhuar maksimalisht dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në një tjetër zhvillim, më herët gjatë ditës, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha iu përgjigj akuzave mbi operacionin policor që çoi në shoqërimin me forcë të Ilir Metës, me urdhër të SPAK-ut.  Hoxha iu përgjigj atyre, që sipas tij “e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm”.

Por fatkeqësisht dhe çuditërisht, të gjithë ata “harruan”, që vetëm kundërshtimi i saj me dhunë dhe asgjë tjetër, e bëri të pashmangshëm shoqërimin me forcë të shtetasit Ilir Meta. Për pasojë edhe skenën shqetësuese!

Prandaj me keqardhje të sinqertë për pamundësinë e shmangies së shoqërimit të tij me forcë, jam po ashtu i keqardhur, që nuk bie dot dakord me optikën e akuzatorëve të mbrëmshëm të Policisë së Shtetit. Me fjalorin e tyre ekstrem ndaj efektivëve të saj, jo dhe jo. Kurrën e kurrës.

Dhe në fund, e shoh të nevojshme të nënvizoj një të vërtetë absolute dhe fare banale. Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg.

Pra, Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën, për gjithë sa sqarova më lart, duke iu referuar dinamikës së ngjarjes, jo dëshirës, sesi do të kishte qenë më mirë të ndodhte apo të mos ndodhte.

Ndërkaq, sot në zyrën e ministrit Hoxha ka shkuar e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn.