Rrëshqitjet e tokës dhe përmbytjet e mëdha, të shkaktuara nga tajfuni Yagi kanë sjellë vdekjen e të paktën 143 personave në Vietnam ndërsa 58 të tjerë ende janë të zhdukur, siç njoftuan sot autoritetet ndërsa përpjekjet për rimëkëmbjen dhe ndihmën vazhdojnë.
Tajfuni Yagi, më i forti që ka goditur Vietnamin verior në rreth 30 vjet përfshiu rajonin që të shtunën e kaluar duke sjellë erëra të egra e shira të rrëmbyeshëm. Shumica e viktimave vdiqën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës. Më shumë se 800 vetë u plagosën gjithashtu.
Tetë persona rezultuan të zhdukur pasi një urë e ngarkuar në veri të Hanoit u shemb në fillimjavë duke përfshirë disa makina, kamionë e motoçikleta në Lumin e Kuq.
Lumi tani ka arritur nivelin më të lartë të ujit në 16 vitet e fundit, raportoi gazeta “VnExpress”.
Banorëve të zonave të banuara fqinje në Hanoi iu është dashur që të ikin për të shpëtuar nga vërshimi i ujit. Sipas burimeve të dhënga nga autoritetet lokale, niveli i ujit të lumit pritej të rritet më tej. Yagi ka përfshirë më parë Filipinet dhe Kinën, duke shkaktuar vdekje e shkatërrim edhe atje.
Stuhia tropikale dëmtoi më shumë se 100 mijë shtëpi e raportohet se shumë prej tyre ende janë plotësisht nën ujë. Qindra mijëra pemë u shkulën në disa provinca.
Rreth 800 mijë kafshë, kryesisht shpendë dhe bagëti, ngordhën.
Sot vazhdon të bjerë shi i dendur në disa pjesë të vendit aziatik. Meteorologët parashikojnë vazhdimin e reshjeve të dendura për ditët në vijim. Zgjerimi i ngrohjes globale rrit mundësinë e stuhive të forta dhe efektet sa vijnë e bëhen më evidente, me shira e temperatura rekord të larta nga viti në vit.
Rritja e temperaturave duhet të nxisë “alarm të kuq” global, siç vë në dukje Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Motin dhe Klimën, pas rekordeve të thyera sërish muajin e kaluar. Përsëri, bota ka regjistruar rekord në temperaturat mesatare të gushtit, për herë të dytë radhazi, referuar të dhënave paraprake të një agjencie të Bashkimit Europian për Klimën.
Australia, Japonia, si dhe disa pjesë të Kinës e Norvegjisë kanë regjistruar gushtin më të nxehtë ndonjëherë në histori, sipas agjencive meteorologjike.
Eshtë e qartë se temperaturat po rriten përtej asaj që do të dëshironim, theksoi Celeste Saulo, një drejtuese e Organizatës Botërore të Meteorologjisë.