Aktualitet Politikë

Tabaku: Qeveria t’iu rikthejë këstin e taksës, profesionistëve të lirë!

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kërkon nisjen e menjëhershme të procedurave për t’i rikthyer profesionistëve të lirë shumën prej 10 milion eurosh, që iu morën nga kësti i taksës së profesioneve të lira, ligj ky që u rrëzua pjesërisht nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku nënvizon se Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të qartë në lidhje me taksën ndaj profesioneve të lira, duke e rrëzuar atë.

Mirëpo edhe pse çështja ishte në Gjykatë dhe po shqyrtohej prej saj, qeveria socialiste vazhdonte të dërgonte njoftime profesionistëve të lirë për të paguar taksën antikushtetuese dhe atyre që guxonin të mos paguanin pasi po prisnin vendimin e Gjykatës, qeveria socialiste i përmendte kërbaçin e ndëshkimit për një taksë të pandershme që më vonë u rrëzua.

Deputetja Tabaku vë në dukje se aktualisht janë rreth 10 mijë biznese që kanë paguar një taksë, që sipas saj, “nuk duhej që ta paguanin”. Ndërkaq kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar “të padiskutueshëm”.

Buxheti i shtetit ka grumbulluar mbi 10 milion euro të ardhura nga 10 mijë profesionistë të lirë. Qartësisht, këto të ardhura janë mbledhur nga një taksë e pandershme dhe antikushtetuese. Qeveria do të duhet që të nisë menjëherë procedurat për t’ia rikthyer këto 10 milion euro shtresës së mesme, së cilës i është marrë në kundërshtim me Kushtetutën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është final, i padiskutueshëm. Qeveria shqiptare ka vetëm detyrën që të zbatojë këtë vendim! Nuk mundet në një shtet të së drejtës, në një demokraci perëndimore të vihen më diskutim vendimet e asnjë gjykate për më tepër asaj Kushtetuese.

Më tej, Jorida Tabaku vë në dukje se 10 milion euro nuk janë kurrgjë për arkën e shtetit, por janë shumëçka për xhepin e shtresës së mesme, të cilën e quan “shtylla kurrizore e vendit tonë”.