Aktualitet Politikë

Tabaku: Qeveria mungesë vullneti në zbatimin e Reformës Zgjedhore!

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Çështjeve Evropiane, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësimet lidhur me Udhërrëfyesin për Integrimin në Bashkimin Evropian. Tabaku tha se qeveria dhe shumica socialiste kanë treguar mungesë vullneti politik në implementimin e Reformës Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR/it.

Më tej, vuri në dukje se një sërë masash, të cilat fillimisht ishin planifikuar për periudhën 2023-2024, janë shtyrë për në vitin 2025 e madje disa deri më 2030-ën.

Kur nuk janë kryer ndryshime deri më tani, cila është garancia që jepni ju se do të bëhen në vijim dhe që janë të thjeshta? Mungesë e vullnetit politik për të ndërmarrë një Reformë Zgjedhore sipas këshillave të OSBE-ODIHR/it. Plotësimi i vendeve vakante: Aktualisht, 22 vende vakante në institucione publike presin të plotësohen nga Kuvendi. Kjo vonesë dëmton funksionimin institucional.

Për ndryshimet ligjore, Jorida Tabaku nënvizoi nevojën për ndryshime në ligjin për shoqërinë civile, ligjin e konfliktit të interesit dhe ligjin për sponsorizimin e partive politike. Për aksesin në fondet publike, u shpreh:

Si mund të sigurohet që e gjithë shoqëria civile të ketë akses në fondet publike, duke vënë në dukje mungesën e transparencës dhe barazisë. Udhërrëfyesi aktual është shumë larg realitetit dhe qeveria nuk ka dëshirë të implementojë ndryshimet e nevojshme. Një veprim i tillë, qartazi është dëshmi e vullnetit të munguar të qeverisë.

Komisioni për Çështjet Evropiane shqyrtoi draft-udhërrëfyesin “Për funksionimin e institucioneve demokratike”. E pranishme sot në mbledhje, ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, u shpreh se ky udhërrëfyes ka në qendër Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Ai parashikon 118 masa reformuese për përmirësimin e demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve, nga të cilat 59 masa kanë lidhje me përmirësimin dhe mirëfunksionimin e Kuvendit. Grupi i dytë i masave dhe reformave që trajton udhërrëfyesi është i lidhur me procesin zgjedhor dhe çështja e tretë është roli i shoqërisë civile, si në procesin ligjbërës, politikbërësit, por dhe në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.