Sport

Sylvinho humbet edhe Gjimshitin, kapiteni dëmtohet në stërvitjen e parë!

Që në ditën e parë të grumbullimit thuajse të plotë të kombëtares kuqezi, vijnë lajme jo të mira për trajnerin Sylvinho.

Në ndeshjen e kontrollit të zhvilluar mes lojtarëve të skuadrës që ishin të pranishëm në “Shtëpinë e Futbollit”, është dëmtuar kapiteni Berat Gjimshiti. Flitet për një tërheqje muskulare nga burime brenda skuadrës, duke qenë se gjithçka në këtë seancë stërvitore ka qenë me dyer të mbyllura, përveç 15 minutave të para të nxemjes.

Në vend të tij trajneri Sylvinho ka thërritur mbrojtësin e kombëtares U21, që ndodhet gjithashtu në grumbullim për ndeshjet e sajë, Adrian Bajramin, 22-vjeçarin që aktivizohet tek Benfika B në kampionatin portugez.

Nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky dëmtim i kapitenit, por që nga shenjat e para duket se kapiteni kuqezi dhe futbollisti i Atalantës mund të humbasë ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve atë përballë Ukrainës më 7 shtator ndërkohë që nuk dihet nëse do të jetë në gjendje për të qenë i gatshëm në ndeshjen e dytë, atë ndaj Gjeorgjisë më 10 shtator në Tiranë.