Sot të ftuara në “Live From Tirana” ishin Olta dhe Luiza. Të dyja vajzat na dhanë një informacion më tepër në lidhje me “Swing Marathon”. Një event shumë i bukur i cili realizohet për të pestin vit edhe pas pauzës dy vjeçare për shkak të COVID-19.
Data 30 Prill është data ndërkombëtare e Jazz-it. Një ditë e cila i dedikohet tërësisht muzikës jazz dhe ne për të pestin vit organizojmë “Swing Marathon”. Janë 12 orë muzikë të dedikuara fiks për “Swing”. Ne nisemi nga Tirana me tren deri në Shkodër. Kemi katër orë e gjysmë udhëtim me muzikë dhe kemi dy banda që do të performojnë live në tren së bashku edhe me DJ. Vijnë nga Italia të gjithë. Më pas vazhdon festa në Shkodër, në rrugicat e saj të bukura dhe pastaj kemi koncertin në Teatrin Migjeni ku bandat do të performojnë përsëri dhe në fund një ‘afterparty’ që do të mbyllë maratonën.
Por duke qenë se në vendin tonë nuk ka një hekurudhë apo edhe një metro Luiza u shpreh se:
Realisht na duhet një formë tjetër e transportit publik këtu në Tiranë. Ne kemi një mungesë dy vjeçare të bërit të këtij festivali për shkak të pandemisë. Sivjet duke qenë se është edhe traditë e tij që të mos jetë thjesht një festival ku njerëzit të marrin pjesë por duhet që të gjithë ata të ftuar të kenë një eksperiencë të veçantë gjatë gjithë ditës. Domethënë të futen komplet në idenë e viteve 20′ dhe të përjetojnë nga fillimi dhe deri në fund sikur janë vetë në ato vite dhe sikur janë vetë brenda muzikës dhe shfaqjes. Nuk është një udhëtim por është një eksperiencë.
Ndërkohë në lidhje me qasjen e publikut Olta dhe Luisa treguan se është fantastike nga viti në vit.
Njerëzit reagojnë dhe duan të përgjigjen. Duan që të bëhen pjesë dhe të kërcejnë, në shumicën e rasteve ne nuk i kemi realizuar koreografitë sepse jemi marrë me njerëzit më shumë. Ka qenë fantastike, një energji shumë e bukur dhe shumë e mirë që ne kemi nevojë ta kemi në jetën tonë.
Për të zbuluar më shumë detaje rreth eventit mund të klikoni këtu.