Suplementet e vajit të peshkut janë një mënyrë popullore për të mbajtur larg rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Rreth 20% e të rriturve më të vjetër se 60 vjeç në Shtetet e Bashkuara i përdorin shpesh këto produkte me synimin për ta mbajtur zemrën të shëndetshme. Megjithatë, një studim i ri zbulon se përdorimi i rregullt i suplementeve të vajit të peshkut mund të rrisë, jo të zvogëlojë rrezikun e goditjes në tru dhe fibrilacionit atrial për herë të parë tek njerëzit me shëndet të mirë kardiovaskular.
Fibrilacioni atrial, i quajtur gjithashtu AFib ose AF, është një lloj aritmie, ose rrahje të parregullta të zemrës, që njerëzit shpesh e përshkruajnë si një rrahje ose goditje në gjoks. Vaji i peshkut ndihmon vetëm njerëzit me sëmundje ekzistuese të zemrës. Studimi analizoi të dhënat për mbi 415,000 njerëz të moshave 40 deri në 69 vjeç që morën pjesë. Gati një e treta e atyre njerëzve, të cilët u ndoqën mesatarisht për 12 vjet, thanë se përdornin rregullisht suplemente të vajit të peshkut.
Sipas studimit për njerëzit pa probleme me zemrën, përdorimi i rregullt i suplementeve të vajit të peshkut u shoqërua me një rrezik 13% më të lartë të zhvillimit të fibrilacionit atrial dhe një rrezik 5% më të lartë për të pasur një goditje në tru. Vaji i peshkut pa recetë ka mungesë të pastërtisë dhe konsistencës, si dhe ka ndotës të mundshëm apo metalet e rënda si merkuri që vijnë me peshkun.
Studimi i ri zbuloi se njerëzit me sëmundje ekzistuese të zemrës në fillim të hulumtimit kishin një rrezik 15% më të ulët për të përparuar nga fibrilacioni atrial në një atak në zemër dhe një rrezik 9% më të ulët për të përparuar nga dështimi i zemrës në vdekje kur ata përdornin rregullisht vajin e peshkut.