Sport

Superiorja, sot Vllaznia-Elbasani e Teuta-Tirana!

Sot mbyllet Java e 8-të e Abissnet Superiores, me dy duele që luhen në të njëjtin orar, 19:00. Eshtë fjala për sfidat Vllaznia-Elbasani e Teuta-Tirana. Teksa kjo e fundit do të kërkojë fitoren e dytë radhazi pas asaj me Laçin, padyshim që supersfida është “klasikja” mes Vllaznisë dhe Elbasanit. Të dy ekipet janë pretendentë për “Final Four”.

Me fitoren 2-1 të Dinamos ndaj Laçit, ngriti siparin kjo javë. Ndërkaq, dje Egnatia u rikthye në fitore në Superiore, pasi mposhti Skënderbeun në transfertë me rezultatin 1-0. Dueli u vendos nga goli i Vuthajt në pjesën e dytë pasi e para u mbyll me porta të paprekura. Sulmuesi përfitoi nga një përgjumje e korçarëve në mbrojtje duke goditur saktë nga shumë pranë portës.

Një ndeshje mjaft e luftuar, por në fund, fati “i buzëqeshi” rrogozhinasve. Nga një karton të kuq për secilën skuadër dhe sfida u mbyll me 20 lojtarë. Lucho në minutën e ’44-rt për korçarët dhe Malota në të ’76-ën për rrogozhinasit.

FORMACIONET ZYRTARE:

SKENDERBEU: Alia, Vaskez, Prençi, Gërço, Doka, Rabiu, Janaqi, Krasniqi, Rashica, Nikaj, Bismark.

Trajner: Ivan Gvozdenoviç

EGNATIA: Dobjani, Alijev, Malota, Aleksi, Ndreca, Rama, Zejnullai, Ujka, Kasa, Xhoel, Vuthaj.

Trajner: Edlir Tetova

Nga ana tjetër, për herë të parë në këtë sezon, Partizani siguroi kreun e Superiores, duke mundur me shifrat 1-0 Bylisin. Të kuqtë triumfuan dje në “Arenën e Demave”, në një ndeshje ku sulmi la për të dëshiruar duke shfaqur përsëri të njëjtat probleme me finalizimin.

Për t’i dhënë një tjetër “buzëqeshje” Partizanit, mendoi mbrojtësi Preka, i cili pas një goditjeje këndi gjeti golin me kokë dhe që mjaftoi për tre pikët e skuadrës kryeqytetase duke e ngjitur në krye dhe ballshiotët e Nevil Dedes i la në zonën e rrezikshme në renditje. Pas një pjese të parë pa gola, Preka e çoi sferën në rrjetë në minutën e ’71-të.

Kështu, Partizani mori kreun e kampionatit me 15 pikë, ndërsa Egnatia e ndjek me një pikë më pak, në 8 ndeshje të luajtura.

FORMACIONET ZYRTARE:

PARTIZANI: Qirko, Bytyçi, Preka, Sembene, Hadroj, Ismaili, Mehmeti, Rrapaj, Zeka, Cara, Mba.

Trajner: A. Veselinoviç

BYLIS: Beqaj, Gabriel, Bruno, Papa, Abazaj, Kasaj, Përgjoni, Uendel, Henrike, Ruçi, Ualison.

Trajner: N. Dede