Bota

Sulmoi kryeministren daneze, ja me sa muaj dënohet autori! Gjykata urdhëron dëbimin e tij nga vendi!

Një gjykatë daneze ka dënuar një 39-vjeçar polak me katër muaj burg dhe ka urdhëruar dëbimin e tij nga vendi për sulmin ndaj kryeministres daneze Mette Frederiksen në Kopenhagë në qershor.

Autori, identitetin e të cilit autoritetet daneze kanë vendosur të mos e publikojnë në media, u arrestua pasi sulmoi Mette Frederiksen më 7 qershor teksa ajo po ecte në kryeqytetin danez.

“Ne ju gjetëm fajtor për goditjen me grusht në shpatullën e djathtë të kryeministres”, tha gjyqtari Jakob Scherfig në fund të seancës dyditore.

Autori, i cili ka jetuar në Danimarkë për pesë vjet, nuk mund të kthehet për gjashtë vjet pas dëbimit.

Në gjyqin e tij ai mohoi çdo përgjegjësi, duke pranuar se kujton se ishte ballë për ballë me kryeministren, të cilën tha se e njihte, por nuk e preku.

Sulmuesi tha se besonte se humbja e kujtesës ishte rezultat i alkoolit që kishte konsumuar më parë dhe ishte befasuar kur e gjeti veten kaq afër kryeministres daneze.

Pasi u lexua vendimi, ai përmes avokatit të tij njoftoi se e pranon vendimin.

As prokuroria dhe as mbrojtja nuk e thirrën Mette Frederiksen për të dëshmuar si dëshmitare gjatë gjykimit, pasi prokuroria siguroi se çështja ishte ndërtuar pa dëshminë e saj.

Mette Frederiksen u zgjodh kryeministre në vitin 2019 në moshën 41-vjeçare dhe rinovoi mandatin e saj në vitin 2022.