Bota

Sulmohet një bazë ajrore ruse në Krime!

Një bazë ajrore e ushtrisë ruse në Krimenë e pushtuar raportohet se u sulmua me raketa që kanë shkaktuar shpërthime dhe zjarr, siç raportuan sot mediat ukrainase dhe kanalet ruse në Telegram. Duke cituar banorë të zonës, televizioni ukrainas, Suspilne raportoi për shpërthime në qytetin Saki dhe Jevpatoria të Krimesë.

Shpërthime shumë të fuqishme janë raportuar nga banorët në Saki, që është shtëpi e një baze ajrore ruse.

Një kanal në Telegram nga Krimeja raportoi se një depo municionesh në një bazë ajrore u sulmua me raketa, duke shtuar se si pasojë e sulmeve, u shkatërrua një avion.

Kanali rus në Telegram, Astra, duke cituar burime të emergjencave në Krimenë e pushtuar raportoi se një bazë ajrore dhe një depo municionesh janë sulmuar me raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Ky kanal deklaroi se si pasojë e sulmeve u përhapën zjarre. Dy ushtarë rusë, sipas Astras, mbetën të plagosur.

Po ashtu, Astra tha se raketat ATACMS goditën një sistem rus të mbrojtjes ajrore në Saki, duke shkatërruar një stacion radari. Teksa citoi burime të paidentifikuara, ky kanal në Telegram tha se katër raketa ATACMS u hodhën nga Ukraina, dy prej të cilave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse.

Ky informacion nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka përmendur sulmet në Krime, por vetëm ka theksuar se mbrojtja e saj ajrore rrëzoi gjashtë dronë ukrainas, katër mbi rajonin e Rostovit e dy mbi atë të Kurskut.

Baza ajrore ushtarake Saki, në afërsi të fshatit Novofedorivka, edhe në të kaluarën është shënjestruar disa herë nga sulmet me raketa. Kjo bazë është shtëpi e regjimentit të 43-të të aviacionit luftarak të Rusisë, që mbështet trupat ruse në jug të Ukrainës e vepron me bombarduesit Su-24 dhe avionët luftarakë Su-30.

Krimeja, që është pushtuar nga Rusia në vitin 2014, përdoret nga ushtria ruse për të kryer sulme me raketa për në Ukrainë, teksa Moska po vazhdon pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, që prej muajit shkurt të vitit 2022.

Në prill, Shtetet e Bashkuara i dërguan Ukrainës raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, që mund të fluturojnë deri në 300 kilometra dhe mund të përdoren për të goditur këdo nga më shumë se 100 objektivat ushtarake ruse në Krime.