Aktualitet Rajoni

Sulmi terrorist në Banjskë dhe vrasja e rreshterit Afrim Bunajku, shtyhet gjyqi për të akuzuarit!

Dushan Maksimoviç, Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç janë tre të akuzuarit dhe të arrestuar më 24 shtator të vitit 2023, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në kundërpërgjigje të sulmit terrorist.

42 të akuzuarit e tjerë, përfshirë edhe Milan Radojiçiç si organizator i sulmit janë në arrati dhe nuk paraqiten në seancën fillestare të gjykimit të tyre, e cila u mbajt sot, dhe në përfundim u mor vendimi për t’u shtyrë për datë 9 tetor.

Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për vepra penale kundër rendit kushtetues, terrorizëm, financim të terrorizmit dhe shpëlarje të parave

Palët e dëmtuara, policët e Kosovës të lënduar nga sulmi terrorist, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri janë paraqitur në Gjykatë, ndërsa përfaqësues i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, të vrarë nga sulmi terrorist, është avokati Arianit Koci.

Javë më parë, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër 45 personave për vepra të rënda penale për sulmin e 24 shtatorit, duke nënvizuar se Milan Radoiçiç ishte organizatori i sulmit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, tentuan të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë me Republikën e Serbisë.