Prokuroria Speciale e Kosovës pritet të mbajë sot një konferencë për media ku do të flitet për sulmin e armatosur në Banjskë. Deri tani, nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur. Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit, pjesa veriore e Kosovës, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përplasjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Autoritetet në Kosovë fajësuan udhëheqjen e shtetit serb për organizimin e sulmit, por Beogradi e mohoi përfshirjen. Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiç, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, po ashtu po kryen hetime për rastin. Organi i akuzes e ngarkon Radoiçiçin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”. Në mes të korrikut, burimet e Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës deklaruan se punët rreth rastit në Banjskë “janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiçit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
Atë kohë, paralajmëruan se aktakuza nuk do të ngrihet para vjeshtës, përkatësisht deri “pas përfundimit dhe ekzaminimit të disa raporteve periferike”. Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, organizata ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletë-arrest për Radoiçiçin në fund të vitit të kaluar.
Ndërsa besohet se ai është i lirë në Serbi, në Kosovë janë ndaluar tre persona në lidhje me rastin. Muajin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës refuzoi kërkesën e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për informacione në lidhje me rastin Banjska. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha pas sulmit se Radoiçiç gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”. Që atëherë, nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar për vendndodhjen e tij.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd u shpreh në tetor të vitit të kaluar se ai akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzla, qytet në verilindje të Bosnjë-Hercegovinës, në periudhën nga janari deri më 24 shtator të vitit të kaluar.
Ai u akuzua edhe për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Gjykata e Lartë në Beograd, tetorin e kaluar, e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por i konfiskoi pasaportën dhe i ndaloi vajtjen në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me dorëzimin e Radoiçiçit dhe të “grupit të tij paramilitar terrorist” te autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Për aq kohë sa Radoiçiç dhe grupi i tij janë të lirë e të mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim.