Rajoni

Sulmi në Banjskë, aktakuzë ndaj 45 personave në Kosovë!

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave e në mesin e tyre është dhe Milan Radoiçiç për sulmin e armatosur në Banjskë vitin e kaluar. Sipas prokurorit të çështjes, Naim Abazi, ata kanë pasur role të ndryshme brenda grupit të tyre kriminal duke filluar nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe larja e parave.

Në mesin e të akuzuarve kryesorë është edhe individi me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit, Millan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Prokurori Abazi nuk e përmendi përfshirjen e mundshme të shtetit serb në sulm, gjë që, më herët, është përmendur vazhdimisht nga autoritetet e Kosovës, edhe pse vetë Beogradi zyrtar e ka mohuar. Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiç, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.

Edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd është duke kryer hetime në lidhje me rastin. Institucioni e ngarkon Radoiçiçin me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Në deklarimin e fundit që bëri për REL-in, më 15 korrik, kjo prokurori tha se hetimet për rastin “janë duke vazhduar”. Prokurori Abazi vuri në dukje se falë bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara, shtete të Bashkimit Europian dhe të tjera, prokuroria ka arritur të sigurojë “prova që ndihmuan në ngritjen e kësaj aktakuze të fuqishme”.

Ai shtoi se gjatë procesit të hetimeve “janë sekuestruar dhe konfiskuar prona, automjete të blinduara, para të gatshme dhe llogari bankare, të cilat dyshohet se janë fituar nga aktivitete të paligjshme”. Sipas prokurorit, janë konfiskuar “mbi 1 mijë e 266 armë dhe pajisje të tjera”.

Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete të mëtejshme kriminale, duke goditur strukturën financiare të këtij grupi kriminal.