Eshtë sekuestruar dhe aktualisht po ekzaminohet makina e djegur “Range Rover” që dyshohet se është e autorëve që në mesnatë sulmuan me armë zjarri godinën e televizionit kombëtar Top Channel në Mëzez, duke lënë të vdekur rojen e sigurisë, Pal Kola 60-vjeç. Disa orë pas ngjarjes tronditëse, automjeti u gjet i djegur në autostradën e Kavajës, pranë vendit të njohur si Përroi i Agait. Paraprakisht u bë e ditur se targat e automjetit ishin të vjedhura, një muaj më parë.
“Range Rover” është sekuestruar dhe aktualisht ndodhet në Drejtorinë e Policisë Tiranë ku po i bëhet ekzaminimi nga ekspertët për gjetjen e provave. Në makinë ishin dy armë kallashnikovë, me të cilat autorët ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri pumbash drejt godinës së televizionit kombëtar. Armët janë dërguar në laboratorin shkencor për t’u krahasuar me të dhënat e policisë nëse janë përdorur në të tjera ngjarje kriminale.
Drejtuesit më të lartë të shtetit, politika, media dhe ndërkombëtarët njëzëri dënuan me forcë sulmin që tronditi opinionin publik. Ndërsa i shprehën ngushëllime familjarëve të viktimës, kërkuan hetime profesionale e tërësore për zbardhjen e ngjarjes, duke vënë para drejtësisë autorët, si edhe theksuan solidaritetin me Top Channel.
Ambasada Amerikane:
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel. I shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë.
Reagoi edhe OSBE:
Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z.Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik. Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë.