Pas atentatit ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico dy muaj më parë, një ligj i diskutueshëm që kufizon lirinë e tubimit hyri sot në fuqi. I njohur si “Lex Attentat”, ligji u miratua në fund të qershorit, në përgjigje të sulmit me armë ndaj Ficos dhe kërkon një rreze prej 50 metrash rreth selisë së qeverisë e presidencës, parlamentit, si dhe të gjitha godinave të gjykatave.
Gjithashtu, ndalohen demonstratat kundër politikanëve para rezidencave të tyre. Tubimet gjithashtu mund të mos lejohen nëse ato rrezikojnë rendin publik. Kritikët e opozitës kanë paralajmëruar se ligji është një hap drejt një “shteti policor”. Paketa e masave parashikon po ashtu që liderët e partive të përfaqësuara në parlament të kenë të drejtën e mbrojtjes personale.
Në një tjetë kontinent, në atë amerikan, dy ditë më parë iu bë atentat, ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili po qëndron në shtetin e Uiskonsinit për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Republikane në Shtetet e Bashkuara. Të shtunën, Trump i cili synon një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë i mbijetoi një përpjekjeje për ta vrarë, gjatë një tubimi në Pensilvani. Por, kjo nuk po e pengon Konventën e planifikuar të zhvillohet nga sot e deri më 18 korrik.
Trump shkroi në mediat sociale se e konsideroi shtyrjen e udhëtimit të tij me dy ditë, por në fund, vendosi që “të mos e lejojë një qitës ose vrasës të mundshëm, ta detyrojë të ndryshojë orarin apo diçka tjetër”.
Gazetës “Washington Examiner” i tha se gjatë aktivitetit, ai do të mbajë një fjalim që pritet të jetë “shumë ndryshe nga çfarë kishte planifikuar më parë”.
Trump u qëllua në veshin e djathtë gjatë një tubimi në Pensilvani, të shtunën e 13 korrikut. Sulmuesi i dyshuar, Thomas Crooks, 20 vjeç, u qëllua dhe u vra nga Shërbimi Sekret, por motivi i tij mbetet i paqartë. Nga të shtënat u vra një pjesëmarrës në takim, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.
Gjatë Konventës Kombëtare Republikane, Trump-it pritet t’i konfirmohet nominimi i partisë si kandidat presidencial në zgjedhjet e 5 nëntorit. Ai do të garojë kundër presidentit aktual, Joe Biden, i cili duke folur nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë theksoi nevojën për bashkim pas atentatit ndaj rivalit republikan.
Sulmi ndaj ish-presidentit Trump është një thirrje ndaj të gjithëve ne, që të reflektojmë. Fatmirësisht, Trump nuk u lëndua rëndë.
Biden paralajmëroi lidhur me rreziqet e dhunës politike në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se “dhuna nuk është zgjidhje”.