Qeveria turke tha se dje në mbrëmje, ushtria e saj goditi disa vende në Irak dhe Siri të lidhura me grupin militant kurd PKK. Kjo pasi e fajësoi për një sulm pranë kryeqytetit Ankara e që shkaktoi vdekjen e të paktën pesë personave sipas burimeve të BBC-së. Video të ndryshme nga sulmi i djeshëm tregojnë të paktën dy persona që gjuajnë me armë rreth hyrjes së Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TAI), e cila ndodhet afro 40 kilometra jashtë kryeqytetit. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, në të cilin u plagosën 22 persona.
Gjithsej, 32 objektiva që i përkisnin terroristëve u shkatërruan me sukses në sulmin hakmarrës, njoftoi në një deklaratë Ministria turke e Mbrojtjes.
Sulmin e fundit ndaj TAI-t, presidenti Recep Tayyip Erdogan e quajti “të neveritshëm” kur reagoi në një postim në X. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya tha se dy sulmues, një grua dhe një burrë, ishin “neutralizuar”, duke shtuar se sulmi ka shumë të ngjarë të kishte përfshirë PKK-në.
Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) është e ndaluar si një organizatë terroriste në Turqi, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Mbretërinë e Bashkuar e ka luftuar kundër shtetit turk që nga vitet 1980 për të drejta më të mëdha për pakicën e rëndësishme kurde të vendit.
Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët thanë sot në mëngjes se Turqia ka nisur një “valë të re” sulmesh, duke shënjestruar “grumbullimet civile” e duke vrarë 12 persona. Ministria turke e Mbrojtjes tha se u morën të gjitha llojet e masave paraprake për të parandaluar dëmtimin e civilëve të pafajshëm, elementëve miqësorë, pasurive historike e kulturore, si dhe mjedisit.