Bota

Sulmi izraelit në Liban, vritet një komandant i Hamasit!

Një sulm izraelit në një kamp refugjatësh në veri të Libanit la të vrarë një komandant të Hamasit, grupit palestinez pro iranian të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, si dhe nga Bashkimi Europian, BE. Kjo është hera e parë që Izraeli sulmon në këtë zonë që nga nisja e luftës në Gaza, më 7 tetor të vitit të kaluar. Në një njoftim thuhet:

Saeed Attallah Ali, bashkëshortja dhe dy vajzat e çiftit u vranë nga bombardimet e Izraelit në shtëpinë e tyre në kampin Bedavi, në afërsi të qytetit Tripoli.

Në mënyrë të vazhdueshme, Izraeli ka shënjestruar anëtarët e Hamasit në Liban që nga koha kur nisi lufta në Gaza, pothuajse një vit më parë. Që prej atëherë, Hamasi ka njoftuar edhe se të paktën 18 anëtarë të tij mbetën të vrarë në Liban. Hamasi vuri në dukje se në sulmet ajrore të 30 shtatorit u vra udhëheqësi i tyre në Liban, Fatah Sharif Abu al-Amine, në shtëpinë e tij në kampin Al-Bas në jug të shtetit libanez.

Në muajin gusht, gjatë një sulmi ajror izraelit në Sidon, në jug të Libanit, humbi jetën komandanti i Hamasit, Samer al-Hajj. Ndërkaq, në një sulm në janar, për të cilin zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë se u krye nga Izraeli, u vra zëvendësshefi i Hamasit, Saleh al-Aruri, si dhe gjashtë radikalë të tjerë palestinezë, në jug të kryeqytetit Bejrut.

Në Liban numërohen dhjetëra kampe të refugjatëve palestinezë të ngritura për të strehuar palestinezët që u larguan gjatë luftës së vitit 1948, rreth kohës kur u krijua Izraeli. Më 7 tetor 2023, radikalët e Hamasit vranë rreth 1 mijë 200 persona, si dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë sulmit të tyre në veri të Izraelit.

Shteti hebraik u kundërpërgjigj me një ofensivë në Gaza. Deri tani, si pasojë e luftës në Gaza janë vrarë më shumë se 41 mijë palestinezë, sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Ky dikaster ka konfirmuar po ashtu se më shumë se gjysma e viktimave ishin gra e fëmijë.