Bota

Sulmet ruse në verilindje të Ukrainës, 14 viktima!

Forcat ruse sulmuan qytezën Konotop në rajonin Sumi, në verilindje të Ukrainës. 14 vetë u plagosën sipas zyrtarëve vendas. Infrastruktura civile dhe objektet energjetike ishin në shënjestër të goditjeve. Në Telegram, kryebashkiaku i Konotopit, Artem Semenikhin, shkroi se të paktën një person ra në koma pas sulmeve.

Ai njoftoi se pjesë të qytezës kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e dëmeve në rrjet e theksoi se po punohet për të kthyer furnizimet me energji dhe ujë, pas dëmeve të mëdha në infrastrukturën energjetike.

Administrata ushtarake e rajonit konfirmoi se Rusia përdori dronë kamikazë të tipit Shahed. Moska e ka goditur në mënyrë sistematike infrastrukturën energjetike të Ukrainës duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, gjë që e ka kufizuar furnizimin e banorëve me energji e ka shkaktuar reduktime të shpeshta.

Ndërkohë, Ukraina është përgjigjur duke kryer sulme me dronë më në thellësi të territorit të Rusisë, aty ku dhe ka dëmtuar objekte të energjisë që janë vendimtare për ushtrinë ruse, kryesisht depo të naftës.

Këto sulme ndodhën pak orë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, si dhe homologu i tij britanik, David Lammy, u larguan nga Ukraina pas takimeve me zyrtarë ukrainas në Kiev gjatë një vizite të përbashkët teksa njoftuan ndihmë të re për Ukrainën.

Blinken njoftoi mbi 700 milion dollarë ndihmë për Ukrainën ndërsa Lammy konfirmoi se vendi i tij do t’ia japë shtetit ukrainas dhe 600 milion paund ndihmë e hua të garantuara. Gjithashtu, ata u zotuan se do ta shqyrtojnë me shpejtësi kërkesën e Ukrainës për ta lejuar të kryejë sulme thellë brenda Rusisë me armë me rreze të gjata, me të cilat furnizojnë Kievin.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka disa kohë që iu bën thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet ndaj shtetit që drejton lidhur me përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

Ndërkaq, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u shpreh se administrata e tij është duke punuar për të gjetur një mënyrë për heqjen e këtyre kufizimeve e siç dhe bëri të ditur, me këtë po merren aktualisht, si një çështje e cila kërkon një trajtim urgjent.