Bota

Sulmet ruse në Ukrainë, shkaktojnë viktima në Sumi!

Tetë persona, mes tyre edhe një fëmijë, mbetën të vrarë si pasojë e një sulmi me dronë që Rusia kreu gjatë natës në rajonin verilindor të Ukrainës, Sumi. Reagoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Çdo sulm i ri rus, vetëm e konfirmon qëllimin e vërtetë të [presidentit rus Vladimir] Putin. Ai do që lufta të vazhdojë sepse nuk është i interesuar për paqe.

Po ashtu, 12 vetë, përfshirë dy fëmijë, u plagosën nga sulmi ndaj një objekti të banuar në qytezën Hluhiv, në kufi me Rusinë, siç raportoi administrata ushtarake e rajonit të Sumit. Një video e shpërndarë nga Zelensky, shfaq ekipet emergjente duke kërkuar për të mbijetuar në gërmadhat e ndërtesës së shkatërruar pjesërisht.

Administrata ushtarake deklaroi se forcat ruse përdorën dy dronë në këtë sulm.

Forca Ajrore e Ukrainës theksoi se rrëzoi 51 dronë dhe se humbi gjurmët e 30 të tjerëve pasi Rusia sulmoi. Forcat ruse e kanë goditur pareshtur rajonin verilindor të Sumit në muajt e fundit, duke dëmtuar infrastrukturën e tij të rëndësishme civile. Një sulm raketor në Sumi të dielën e kaluar, vrau 11 njerëz e plagosi 89 të tjerë, si dhe shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike.

Dy muaj nga përfundimi i mandatit të presidentit Joe Biden, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin mbështetjen financiare, ushtarake, si dhe diplomatike ndaj përpjekjeve të Kievit zyrtar për t’u mbrojtur kundër agresionit rus. Në takimin e nivelit të lartë të G20-ës në Rio de Zhaneiro të Brazilit, u raportua se zyrtarët e Uashingtonit po bëjnë presion për një gjuhë “sa më të fortë të mundshme” në mbështetje të Ukrainës.

Diplomatët perëndimorë kanë ripërtërirë thirrjet e tryre për kritika më të forta ndaj Moskës pas sulmit ajror rus të fundjavës, më i madhi në territorin ukrainas në muajt e fundit. Gjithashtu, paralajmëruan se Rusia po shton përpjekjet e luftës që mund të kenë një efekt destabilizues përtej Europës. Deklarata përfundimtare e udhëheqësve të G20-ës, ende është duke u negociuar.