Bota

Sulmet ruse në Ukrainë, 5 të plagosur orët e fundit!

Të paktën pesë persona u plagosën në sulmet e fundit ruse me dronë dhe raketa në mbarë Ukrainën. Mbrojtja ajrore rrëzoi 27 nga 44 dronët e lëshuar gjatë natës nga forcat ruse.  Një sulm me raketa në mëngjes dëmtoi godina banimi e plagosi tre persona në rajonin verilindor të Harkivit.

Gjithashtu u lënduan dy vetë, u dëmtuan të paktën 12 shtëpi, u prekën linja të furnizimit me energji elektrike dhe tubacionet e gazit në rajonin e Dnipropetroskit.

Ndërkaq, copëzat e rëna nga dronët Shahed të shkatërruar, shkaktuan zjarr në rajonin lindor të Lvivit. Zjarri shpërtheu në një depo duke djegur katër makina.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sot viziton Gjermaninë, vendin ku mbështetësit e ushtrisë të Ukrainës po takohen disa ditë pas një prej sulmeve më vdekjeprurës që kanë ndodhur gjatë luftës ndërsa forcat ruse po bëjnë përparime në fushëbetejë.

Zelensky dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të zhvillojnë një takim në Frankfurt sipas informacionit të dhënë nga zëdhënësi i qeverisë në Berlin. Por, ai nuk dha detaje të tjera lidhur me takimet që do të zhvillojë kreu i shtetit ukrainas në Gjermani.

Por, media gjermane Der Spiegel, raportoi se Zelensky do të marrë pjesë në takimin e mbështetësve të Kievit ku përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara. Bisedimet do të mbahet në bazën ajrore amerikane, Ramstein.

Zelensky do t’u bëjë thirrje shteteve perëndimore për më shumë ndihmë për Kievin gjatë takimit të Grupit të Kontaktit në këtë bazë.

Takimi në bazën që gjendet në jugperëndim të Frankfurtit do të drejtohet nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Ky do të jetë takimi i 24-rt i Grupit të Kontaktit që është një aleancë joformale e përbërë nga më shumë se 50 shtete që e mbështesin Ukrainën.

Prej nisjes së inkursionit në rajonin Kursk, në fillim të gushtit, Kievi pretendon se ka fituar kontrollin e mbi 1.200 kilometrave të territorit rus. Në raportimet paraprake janë dhënë sinjale që Kievi synon që përmes këtij operacioni të pozicionojë veten më mirë, në rast të nisjes së bisedimeve për paqe.

Ukrainasit dhe analistët kanë sugjeruar se përmes operacionit ushtarak është synuar t’iu tregohet edhe rusëve për situatën e luftës së nisur prej Moskës. Inkursioni në Kursk përbën pushtimin e parë të huaj të territorit rus prej Luftës së Dytë Botërore.

Kievi e disa aleatët të tij kanë argumentuar së fundmi se mbështetësit perëndimorë të ndihmës ushtarake, artilerisë dhe armëve të tjera duhet të heqin kufizimet, që të mundësojnë shfrytëzimin e tyre për sulme më thellë territorit rus.