Bota

Sulmet izraelite në Liban, rëndohet bilanci i viktimave!

Të paktën 100 vrarë e më shumë se 300 të plagosur. Ky është bilanci më i fundit zyrtar nga bombardimet izraelite në Liban e që shënjestruan grupin militant pro-iranian Hezbollah, me bazë në shtetin libanez. Ministria e Shëndetësisë tha se në mesin e të vrarëve dhe plagosurve ka gra e fëmijë.

Trupat e Izraelit goditën 300 shënjestra në Liban, në përpjekje për ta rritur presionin ndaj Hezbollahut, grupit militant të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që mbështetet nga Irani.

Ushtria njoftoi për bombardimet e reja përmes një postimi në rrjetin social X, ku postoi një foto të shefit të lartë ushtarak, gjeneral-lejtnant, Herzi Halevi, duke urdhëruar sulme shtesë nga shtabi i ushtrisë në Tel Aviv.

Këto janë bombardimet më të ashpra të Izraelit në Liban që kur nisën luftimet mes shtetit hebraik e Hezbollahut, tetorin e vitit të kaluar. Halevi dhe liderë të tjerë izraelitë janë zotuar për veprime më të ashpra ndaj Hezbollahut në ditët e ardhshme.

Teksa ushtria izraelite kreu sulmet, autoritetet izraelite raportuan për aktivizimin e një sërë sirenash në veri të Izraelit, duke paralajmëruar banorët për sulme raketore nga Libani. Sot në mëngjes, Izraeli iu bëri thirrje banorëve në jug të Libanit të largohen nga shtëpitë e tyre, në pjesët ku sipas ushtrisë, “Hezbollahu ruan armët”, duke i paralajmëruar për “bombardime të ashpra” atje.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarr në mënyrë intensive dje pasi grupi militant libanez hodhi qindra raketa në thellësi, brenda territorit izraelit duke iu përgjigjur bombardimeve izraelite.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se bombardimet do të vazhdojnë derisa të garantohet siguria për kthimin e të shpërngulurve nga pjesa izraelite e kufirit. Hezbollahu është përballur me presion të madhe në javët e fundit. Kjo pasi javën e kaluar, shpërthyen mijëra pajisje komunikimi të tipit pejxhëra e radio, të përdorura nga pjesëtarët e grupit militant.

Për shpërthimin e këtyre pajisjeve Hezbollahu ka fajësuar Izraelin, por që deri tani, as nuk e ka pranuar e as mohuar përgjegjësinë. Kryeministri izraelit Netanjahu ka thënë se Hezbollahu do ta marrë mesazhin e nëse jo deri tani, Izraeli do të kujdeset që kjo të ndodhë.