Sulmet ajrore izraelite goditën periferitë në jug të kryeqytetit libanez Bejrut, duke shkaktuar shpërthime të mëdha. Kjo pasi ushtria paralajmëroi civilët të largoheshin nga tre ndërtesa specifike që njoftoi se do të shënjestronte. Këto godina gjenden në lagje me popullsi të dendur.
Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se nuk do të dislokojë forca në Liban apo në Rripin e Gazës për të luftuar kundër Izraelit, në kohën e intensifikimit të sulmeve ndaj Hezbollahut në Liban. Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi:
Nuk ka nevojë për dërgimin e forcave vullnetare shtesë të Republikës Islamike të Iranit. Libani dhe luftëtarët në territoret palestineze kanë aftësi dhe forcë të mjaftueshme për të mbrojtur veten kundër agresionit.
Deklarata e Kananit erdhi pasi Naim Qassem, zëvendësshefi i Hezbollahut, tha përmes një video-mesazhi se “shumë shpejt” do të gjendet një zëvendësues për Nasrallahun. Në mesazh, ai deklaroi se përzgjedhja do të bëhet sipas procedurave të rregullta të Hezbollahut, duke mos dhënë më shumë detaje.
Nasrallah u vra javën e kaluar gjatë një sulmi ajror izraelit në qendrën komanduese jugore të Hezbollahut. Po ashtu, ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet kundër grupeve militante që mbështeten nga Irani, duke sulmuar qytetin-port të Hodeidës në Jemen e që është nën kontrollin e rebelëve Huthi. Po në të njëjtën kohë ka intensifikuar sulmet ajrore në jug të Bejrutit e në të tjera pjesë të Libanit.
Humbjet e përjetuara nga Hezbollahu duket se janë më të mëdhatë që kur Garda Revolucionare Islamike ndihmoi në krijimin e këtij grupi militant në vitin 1982, me qëllim që të luftohej një pushtim izraelit i Libanit.
Nasrallah i ishte bashkuar Hezbollahut për të luftuar në atë konflikt e në vitin 1992 spikati si figurë duke u bërë udhëheqës i tij e arriti ta kthente grupin në forcën më të fuqishme ushtarake dhe politike të Libanit.