Bota

Sulmet izraelite, Blinken: Duhen mbrojtur civilët!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni ende po punon për të parandaluar një luftë të madhe në Lindjen e Mesme. Blinken i bëri thirrje Izraelit t’i mbrojë civilët, pasi 22 persona u vranë nga bombardimet në qendër të Bejrutit. Ai foli një ditë pasi goditjet ajrore izraelite shënjestruan dy ndërtesa në Bejrut. Njëra prej tyre u shkatërrua plotësisht.

Ne vazhdojmë të angazhohemi intensivisht për të parandaluar një konflikt më të gjerë në rajon, iu tha Blinken gazetarëve pas një Samiti të Azisë Lindore në Laos, duke shtuar se është “shumë me rëndësi” për Izraelin që të garantojë se civilët janë të mbrojtur gjatë konfliktit.

Burimet libaneze thanë se të paktën një figurë e lartë e Hezbollahut u shënjestrua në sulme, të tretat me radhë në Bejrut që kur Izraeli nisi fushatën në jug të Libanit, muajin e kaluar, kundër milicisë së Hezbollahut, të përkrahur nga Republika Islamike.  Këto veprime kanë rritur frikën për ndonjë luftë më të madhe rajonale.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pjesërisht nga Bashkimi Europian që në listë të zezë ka vetëm krahun e armatosur dhe jo partinë politike me një vend në Parlamentin e Libanit.

Televizioni Al-Manar i Hezbollahut reagoi pas sulmeve e tha se përpjekjet për të vrarë Wafiq Safanin, zyrtar të lartë të sigurisë së grupit, kanë dështuar. Në raportime u vu në dukje se Safa nuk ka qenë në asnjërën prej ndërtesave të shënjestruara. Ai drejton një departament përgjegjës për të punuar me agjencitë e sigurisë së Libanit, siç kanë theksuar burimet.

Në një tjetër ngjarje të një dite më parë, forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në jug të Libanit, theksuan se një tank izraelit ka goditur ndërtesën ku gjendet selia e tyre në qytezën Naqoura e për pasojë janë plagosur dy paqeruajtës. Ndërkaq, kombësia e paqeruajtësve nuk është bërë e ditur.

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara u shpreh përmes një deklarate se si pasojë e sulmeve izraelite janë dëmtuar edhe makinat, si dhe një sistem komunikimi.