Bota

Sulmet ajrore izraelite në Liban, rreth 500 viktima!

Të paktën 492 persona janë vrarë si pasojë e bombardimeve të ashpra izraelite ndaj shënjestrave të Hezbollahut në Liban. Bilancin e përditësoi sot Ministria libaneze e Shëndetësisë. Një ditë më parë, ushtria e Izraelit kreu sulme të mëdha intensive ndaj Hezbollahut, grupit militant pro iranian, të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E djeshmja ishte dita më vdekjeprurëse e konfliktit atje në 20 vitet e fundit.

Mijëra familje kanë ikur nga shtëpitë e tyre, gjithashtu. Ushtria izraelite raportoi se goditi 1.600 objektiva të Hezbollahut, në përpjekje për të shkatërruar infrastrukturën që ky grup i armatosur e pati ndërtuar pas luftës së vitit 2006.

Ndërkohë, Hezbollahu u përgjigj duke hedhur mbi 200 raketa drejt veriut të Izraelit, referuar ushtrisë. U raportua për dy të plagosur. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, pasi të dyja palët duket se po shkojnë drejt një lufte të përgjithshme.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se 35 fëmijë dhe 58 gra janë në mesin e të vrarëve dhe 1.645 njerëz mbetën të plagosur.

Por, nuk saktësoi se sa prej të vrarëve ishin civilë apo luftëtarë. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, iu drejtua popullit libanez përmes një videoje.

Lufta e Izraelit nuk është kundër jush, por kundër Hezbollahut. Hezbollahu ka kohë të gjatë që është duke ju përdorur si mburojë njerëzore.

Dje në mëngjes, Izraeli iu bëri thirrje banorëve në jug të Libanit të largohen nga shtëpitë e tyre në pjesët ku tha se “Hezbollahu ruan armët”, duke i paralajmëruar për “bombardime të ashpra”.

Hezbollahu është përballur me presion të madh në javët e fundit, pasi javën e kaluar shpërthyen mijëra pajisje komunikimi të përdorura nga pjesëtarët e tij. Për shpërthimin e tyre, grupi ka fajësuar Izraelin, i cili as nuk e ka pranuar dhe as e ka mohuar përgjegjësinë.

Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit në mënyrë të përditshme pas sulmit të 7 tetorit 2023 në Izrael nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe konflikti është rritur prej atëherë.

Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të kryejë sulme derisa të arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës. Militantët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor dhe vranë rreth 1.200 vetë, kryesisht civilë, si dhe rrëmbyen 250 të tjerë. Nga lufta e Izraelit në Gaza, deri tani janë vrarë mbi 41 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.