Bota

Sulme vdekjeprurëse ruse në Ukrainë!

Tre civilë janë vrarë në orët e para të ditës gjatë sulmeve ruse me dronë në rajonin verilindor ukrainas të Sumit, që gjendet në kufi me Rusinë. Lajmin e dha administrata rajonale përmes një njoftimi në Telegram. Zyrtarët shtuan se sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar më shumë se 25 dronë mbi rajonin Sumi. Ndërkaq, autoritetet në dy rajone ruse njoftuan se dronët ukrainas shënjestruan tre distileri të pijeve alkoolike.

Në rajonin Tambov, në juglindje të Moskës, një sulm me dron nxiti zjarr në distilerinë e metanolit Biokhim. Biokhim është një prej prodhuesve më të vjetër të Rusisë dhe kompania prodhon “produkte të rëndësisë strategjike për shtetin”, kryesisht etanol, thuhet në faqen e kompanisë.

Në rajonin Tula, në jug të Moskës, dronët ukrainas kanë goditur distileri të alkoolit, një në Efremov dhe një në Luzhkovski, sipas guvernatorit rajonal, Dmitry Milyaev. Ai shtoi se nuk ka viktima nga këto sulme të kryera nga Ukraina.

Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 18 dronë gjatë natës. Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe që atëherë sulmon vazhdimisht me një sërë lloje armësh Ukrainën fqinje.

Të dielën u raportua se Ukraina ka lëshuar një numër të madh dronësh drejt Moskës dhe rajoneve perëndimore të Rusisë. Po ashtu,  u fol për një sulm në një zonë industriale, ku ndodhet një fabrikë e rëndësishme armësh. Këto goditje vijnë një ditë pasi dronët ukrainas thuhet se sulmuan një impiant mikroelektronik që është jetik për ushtrinë ruse.

Një ditë më parë, ministrat e Mbrojtjes së Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) e mbështetën rrugën “e pakthyeshme” të Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO. Këtë javë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpalosi “Planin e fitores” para Bashkimit Europian dhe NATO-s, por nuk ia doli ta marrë ftesën për anëtarësim të menjëhershme siç kërkonte.

Kanali rus në Telegram, Astra, postoi një video që thotë se shfaq sulmin në zonën industriale në qytetin Dzerzhinsk në rajonin e Nizhni Novgorod të Rusisë. Në këtë zonë ndodhet Fabrika e Mbrojtjes Sverdlov, një ndërmarrje shtetërore që prodhon eksplozivë, kimikate industriale, detonatorë dhe municion. Nuk është e qartë nëse fabrika, e cila është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, u dëmtua nga sulmi.