Bota

Sulme të ushtrisë së Mianmarit ndaj civilëve, reagon ashpër Guterres!

Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB, Antonio Guterres, i ka dënuar sulmet e fundit të ushtrisë së Mianmarit [Burmas], si pasojë e të cilave raportohet të jenë vrarë dhjetëra civilë në rajonin perëndimor, Rakhine.

Ushtria Arakan, (AA) një grup etnik minoritar, ka sulmuar forcat e ushtrisë shtetërore në Rakhine, në nëntor të vitit të kaluar, duke i dhënë fund kështu një armëpushimi që është zbatuar prej puçit ushtarak të vitit 2021.

Guterres dënon ashpër sulmet e fundit prej ushtrisë së Mianmarit, të cilat raportohet se kanë vrarë dhjetëra civilë, përfshirë sulmet në rajonin Rakhine, u shpreh zëdhënësi i tij, Stephane Dujarric, përmes një deklarate.

Nga ana tjetër, ushtria Arakan deklaron se po lufton për më shumë autonomi për popullsinë etnike në Rakhine, në të cilën banojnë rreth 600 mijë anëtarë të minoritetit mysliman, Rohingya.

Shërbimet telefonike dhe ato të internetit janë ndalur në gjithë rajonin e Rakhinës e kjo e ka vështirësuar verifikimin e raportimeve për dhunë. Zyrtari i lartë Guterres ka bërë thirrje edhe për dhënie fund të “persekutimit të vazhdueshëm” të minoritetit Rohingya, që është në qendër të luftimeve mes dy grupeve.

Aktivistë të minoritetit Rohingya e kanë akuzuar Ushtrinë Arakan për zhvendosje të mijëra anëtarëve të komunitetit të tyre, si dhe për djegie e plaçkitje shtëpish. Qindra mijëra Rohingya kanë ikur prej Rakhinës për në Bangladeshin fqinj, në vitin 2017, si pasojë e shtypjes ushtarake.

Aktualisht, gjykata e Kombeve të Bashkuara është duke trajtuar një padi për gjenocid lidhur me ato zhvillime.