Bota

Sulme me raketa në Haifa të Izraelit, Hezbollah merr përgjegjësinë!

Me 10 raketa nga Libani u sulmua sot në mëngjes Izraeli siç raportuan burime të ushtrisë izraelite. Mbi qiellin e Haifas, qytetit port kryesor të shtetit hebraik, tymi nga shpërthimet ishte i dukshëm. Ushtria deklaroi se disa nga raketat u kapën ndërsa të tjerat ranë në zona të pazhvilluara. Nuk ka asnjë informacion në lidhje me të plagosur apo viktima të mundshme.

Milicia shiite Hezbollah në Liban pohoi se sulmoi rajonin e Haifas me raketa të tipit Fadi-1. Militantët kanë bombarduar Izraelin pothuajse çdo ditë që nga fillimi i luftës së Gazës, rreth një vit më parë. Grupi aleat me Iranin, pretendon se synon të mbështesë organizatën militante palestineze Hamas në Rripin e Gazës, në luftën kundër Izraelit e për të arritur një armëpushim në Gaza.

Izraeli u përgjigj dhe që nga fillimi i javës, forcat ajrore izraelite kanë kryer sulme masive ajrore në Liban, duke rezultuar në qindra të vdekur. Përpjekjet ndërkombëtare për të vendosur një armëpushim, deri tani nuk kanë qenë të suksesshme.

Si Parisi ashtu dhe Uashingtoni zyrtar po punojnë mbi një propozim për një armëpushim 21-ditor çka do të mundësonte negociatat mbi konfliktin e përshkallëzuar mes Izraelit e Hezbollahut e që ka lënë mbi 600 të vrarë në Liban në ditët e fundit. Gjatë një takimi për të folur mbi konfliktin, kryediplomati francez, Jean-Noël Barrot i tha Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, OKB se propozimi do të publikohet së shpejti.

Ne po llogarisim që të dyja palët ta pranojnë pa vonesë. Franca dhe SHBA-të janë konsultuar me palët lidhur me parametrat përfundimtarë për një rrugëdalje diplomatike nga kjo krizë. Lufta nuk është e pashmangshme.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shpresojnë se një armëpushim i tillë mund të çojë në një stabilitet afatgjatë në kufirin mes Izraelit e Libanit. Shkëmbimet disa mujore të zjarrit ndërmjet Izraelit e Hezbollahut kanë detyruar largimin e qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre, në të dy anët e kufirit. Sulmet e kësaj jave e kanë shtuar frikën për një konflikt më të gjerë rajonal.