Sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 46 persona në Rripin e Gazës, 24 orët e fundit, përfshirë 11 në një kafene të improvizuar në një pjesë të shpallur zonë humanitare nga Izraeli, thanë mjekët. Në Liban, avionë luftarakë goditën periferitë jugore të Bejrutit e vranë 33 persona në të tjera pjesë të vendit.
Bombardimet e fundit erdhën pasi Shtetet e Bashkuara thanë se nuk do të reduktonin mbështetjen ushtarake për Izraelin pas kalimit të një afati për lejimin e më shumë ndihmave humanitare në Gaza. Departamenti i Shtetit përmendi disa përparime, edhe pse grupet ndërkombëtare të ndihmave thanë se “Izraeli nuk kishte arritur të përmbushte kërkesat e Shteteve të Bashkuara”.
Në Liban, shpërthime të mëdha tronditën periferitë jugore të Bejrutit, zonë e njohur si Dahiyeh e ku organizata Hezbollah ka një prani të konsiderueshme, menjëherë pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime evakuimi për 11 shtëpi të zonës. Nuk pati të dhëna të menjëhershme për viktima. Ushtria izraelite tha se kishte objektiv infrastrukturën e Hezbollahut, përfshirë qendrat e komandës dhe vendet e prodhimit të armëve, por nuk ofroi prova.
Një tjetër sulm izraelit në një objekt me apartamente në lindje të Bejrutit vrau të paktën gjashtë persona. Banori Wael Murtada tha se shtëpia e shkatërruar i përkiste xhaxhait të tij dhe se ata që ishin brenda kishin ikur nga Dahiyehu muajin e kaluar. Ai deklaroi se tre fëmijë ishin në mesin e viktimave e të tjerë njerëz ishin zhdukur.
Një sulm ajror izraelit në një godinë të banuar në Libanin qendror vrau 15 persona, përfshirë tetë gra dhe katër fëmijë e plagosi të paktën 12 të tjerë, siç njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Goditjet u bënë pa paralajmërim dhe media shtetërore informoi se ndërtesa po strehonte familjet e zhvendosura.
Izraeli ka intensifikuar goditjet ajrore ndaj Libanit që nga fundi i shtatorit, duke u zotuar se do ta dëmtojë rëndë Hezbollahun dhe do t’i japë fund sulmeve ndërkufitare që prej një viti nga grupi militant libanez. Një raketë shpërtheu në një magazinë në qytetin verior izraelit Nahariya duke vrarë dy persona, raportuan ekipet e emergjencave. Dy persona të tjerë u plagosën nga një shpërthim tjetër jashtë qytetit.
Një dron i Hezbollahut u rrëzua mbi një çerdhe pranë qytetit verior izraelit të Haifës, dje në mëngjes por për fat të mirë, fëmijët ishin brenda një strehimi të nëndheshëm e nuk pati të lënduar. Shpërthimi shpërndau mbetje në të gjithë këndin e lojërave.
Ushtria izraelite njoftoi se katër ushtarë u vranë në Jabaliya, duke e çuar në 24 numrin e ushtarëve që kanë humbur jetën nga fillimi i operacionit. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se qindra palestinezë janë vrarë, megjithëse shifrat e vërteta nuk dihen pasi punonjësit e kërkim-shpëtimit nuk janë në gjendje të shkojnë te ndërtesat e shkatërruara nga sulmet. Izraeli ka urdhëruar që banorët e zonës të evakuohen. Por OKB-ja vlerëson se rreth 70,000 njerëz vazhdojnë të gjenden atje.