Bota

Sulm terrorist në Dagestan, oficerë policie dhe civilë të vrarë!

Sulme në dy qytete të Dagestanit në Rusi, vriten më shumë se 15 oficerë policie dhe disa civilë, mes tyre një prift. Persona të armatosur hapën zjarr në një sinagogë, në një kishë ortodokse e në një stacion policor në Derbent e Makaçkala. Autoritetet folën për akt terrorist e thanë se 6 agresorë u ekzekutuan gjatë përballjes me forcat e rendit.

Disa media ruse cituan zyrtarët e sigurisë që thanë se të paktën 15 oficerë të policisë u vranë gjatë sulmeve e që ndodhën vetëm tre muaj pasi 145 persona humbën jetën e qindra të tjerë u plagosën kur ekstremistët e Shtetit Islamik (IS) hapën zjarr ndaj një turme njerëzish, në një sallë koncertesh në periferi të kryeqytetit të Rusisë, Moskë.

Kësaj here, as ISIS-i dhe as ndonjë grup tjetër nuk e mori përgjegjësinë për sulmet e një dite më parë në rajonin e Kaukazit Verior. Mediat shtetërore ruse cituan zyrtarët e ligjit, të cilët thanë se në mesin e sulmuesve ishin dy djemtë e kryetarit të qarkut të Sergokalas në Dagestan dhe që u arrestuan nga policia.

Kjo është një ditë tragjike për Dagestanin e për të gjithë vendin, u shpreh guvernatori rajonal Sergei Melikov, pasi zyrtarët njoftuan për tri ditë zie në nderim të viktimave.

Komisioni Hetimor i Rusisë njoftoi se ka nisur hetime penale për “aktet e terrorit”. Sipas një organizate fetare lokale në rajonin me shumicë myslimane, sulmet ndodhën në një ditë feste fetare për Kishën Ortodokse ruse.

Radikalët duan të na nxisin kundër njëri-tjetrit me të gjitha forcat e tyre dhe duan t’i shkatërrojnë urat ndërfetare. Por, nuk do t’ia dalin!

Kryetari i Këshillit Publik të Komuniteteve Hebraike të Federatës Ruse, Boruch Gorin, tha në Telegram se sinagoga në Derbent u përfshi nga zjarri pas sulmit. Sulmi ndaj stacionit policor ndodhi në Makaçkala, kryeqytetin e Dagestanit.

Sulmues të panjohur sulmuan një postbllok. Sipas Ministrisë së Brendshme të Dagestanit, dy persona u vranë në Makaçkala, aeroporti i të cilit, në tetor u mbyll për disa ditë, pasi një turmë që po bënte thirrje kundër hebrenjve e sulmoi pas mbërritjes së një avioni nga Izraeli.

Protestat kundër hebrenjve shpërthyen në disa qytete pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi. Disa muaj më vonë, pas sulmit vdekjeprurës më 22 mars në sallën e koncerteve Crocus në afërsi të Moskës, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) arrestoi katër persona në Dagestan nën dyshimin se u kishin dhënë financa dhe armë pjesëmarrësve.

Përgjegjësinë e mori një degë e ISIS-it, e njohur si Shteti Islamik-Khorasan. Hetuesit rusë thanë se sulmi u krye nga katër burra, të gjithë shtetas të Taxhikistanit.