Bota

Sulm izraelit në Gaza, vriten 71 persona!

Një sulm izraelit në jug të Gazës ka vrarë 71 persona ditën e sotme, siç saktësoi një njoftim i fundit nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, duke shtuar se dhjetëra vetë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ndërkaq, një zyrtar izraelit bëri të ditur se ushtria ka shënjestruar kreun e krahut ushtarak të Hamasit, grupit palestinez të shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Zyrtari izraelit tha se shënjestër e sulmit në Han Junis ishte Mohammed Deif, për të cilin, shumë besojnë se është arkitekti i sulmit që Hamasi kreu më 7 tetor në Izrael, kur u vranë rreth 1 mijë e 200 persona. Ky sulm nxiti luftën mes Izraelit dhe Hamasit e që vijon me luftime të ashpra.

Për vite të tëra, Deif ka qenë në krye të listës së personave më të kërkuar nga Izraeli dhe besohet se u ka ikur disa tentativave për vrasje nga Izraeli në të kaluarën. Zyrtari që foli në kushte anonimiteti tha se Rafa Salama, një tjetër zyrtar i lartë i Hamasit u shënjestrua nga ushtria hebraike. Por, nuk dha detaje nëse këta dy zyrtarë të lartë të Hamasit janë vrarë apo jo.

Ndërkaq, në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë u tha se të paktën 289 persona mbetën të plagosur dhe shumica e 71 të vrarëve e të lënduarve u dërguan në spitalen Nasser.

Ende e paqartë nëse sulmi u krye brenda Muvasit, që Izraeli e ka shpallur zonë humanitare e që shtrihet nga veriu i Rafahut deri në Han Junis. Sulmi i fundit vdekjeprurës vjen në kohën kur ndërmjetësit nga Amerika, Katari dhe Egjipti po tentojnë të zvogëlojnë dallimet mes Izraelit dhe Hamasit sa i përket një armëpushimi të propozuar e që synon lirimin e pengjeve që gjenden në Gazë.

Vrasja apo plagosja e ndonjë zyrtari të lartë të Hamasit mund të dëmtojë bisedimet. Izraeli nisi ofensivën e tij në Gaza pas sulmit të 7 tetorit të Hamasit, kur në jug të Izraelit u vranë afro 1.200 persona dhe u plagosën rreth 250 të tjerë.

Që atëherë, si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë më shumë se 38.300 vetë e janë plagosur mbi 88.000 të tjerë, referuar Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor.