Bota

Stuhi në Teksas, 4 viktima!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA një stuhi e fortë goditi shtetin amerikan të Teksasit mbrëmë vonë duke shkaktuar të paktën katër viktima në Houston, siç bëhet e ditur nga burime zyrtare vendase. Mediat lokale raportojnë se erërat e forta nga stuhia thyen dritaret e ndërtesave të larta, rrëzuan pemë, si dhe linjat e energjisë elektrike në të gjithë qytetin, duke lënë më shumë se një milion njerëz pa energji elektrike.

Patëm një stuhi me erëra me shpejtësi 100 milje në orë (160 kilometra në orë), ekuivalente me uraganin Ike, tha kryebashkiaku i Houstonit, John Whitmire në një konferencë shtypi, duke iu referuar uraganit të kategorisë 4 të vitit 2008 e që shkaktoi dëme të mëdha në zonën e Houstonit.

Whitmire bëri të ditur se dy persona gjetën vdekjen nga rënia e pemëve. Një person i tretë humbi jetën kur një vinç u përmbys, ndërsa nuk dihet se çfarë e shkaktoi vdekjen e një të katërti. Po ashtu, përmbytjet zhytën makina në rrugë e në autostrada, duke e bërë të nevojshme që kamionë tërheqës t’i nxjerrin nga nga ujërat e thella.

Kishte edhe raportime jozyrtare për disa tornado në rajon. Whitmire vuri në dukje se tani, shqetësimi kryesor është pastrimi dhe menaxhimi i trafikut, pasi shumica e semaforëve nuk po punojnë në qytet dhe pse kjo do të jetë e përkohshme.

Banorëve, kryebashkiaku iu kërkoi që të qëndrojnë brenda për 24 deri në 48 orët e ardhshme, për të lejuar heqjen e telave përcjellës të rrymës nga rrugët, si dhe për pastrimin e xhamave e të mbeturinave në mbarë qytetin. Madje, ai kishte një lutje për bizneset lokale, që të mund të lejojnë punonjësit të qëndrojnë në shtëpi ditën e sotme.

Ne jemi në një gjendje rikuperimi. Nëse nuk e keni të domosdoshme, mos shkoni në punë! Qendra e qytetit është një rrëmujë. Qëndroni në shtëpi!